Site icon PrishtinaPress

Përzierja e naftës – MINT pranon që rafineritë importojnë pa akcizë, tregu i naftës vështirë i kontrollueshëm

MINT pranon se ka probleme me kontrollimin dhe monitorimin e cilësisë së naftës në Kosovë, por shpreson në përmirësime pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri për naftën. Sistemi aktual nuk është efektiv.

Edhe pse me treg të vogël në krahasim me madhësinë e shteteve tjera, Kosova ka hiç me pak se 4 rafineri me licencë nga Qeveria për prodhim/përpunim të naftës.

Ato importojnë lëndë të parë për përpunim pa ngarkesë akcize.

Por, ka dyshime se lënda e parë pa ngarkesë akcize përdoret edhe për përzierje me naftë për t’ju shmangur tatimeve.

Zyrtarë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), kanë shpjeguar për Gazetën Insajderi, punën që ata bëjnë në kontrollimin dhe monitorimin e cilësisë së naftës në Kosovë.

MINT ka sqaruar se ata janë “në dijeni për 4 prodhues/përpunues të naftës, që vëzhgohen nga Dogana, meqë importojnë lëndë të parë pa akcizë” por presin që përmirësimi i kuadrit ligjor “do të adresojë çështjen e lëndës së parë, prodhimit dhe përpunimit me mekanizma shtesë.”

Por MINT nuk ka saktësuar nëse kanë informata apo nëse inspektorët e tregut kanë hasur në praktika abuzive të përzierjes së naftës për përfitime nga evazioni fiskal.

Në bazë të përgjigjeve nga MINT dhe nga raporti i Auditorit konfirmohet se MINT nuk është në gjendje të sigurojë me të vërtetë kontroll efektiv dhe monitorim të cilësisë së naftës, dhe duket se kryesisht varet nga të dhënat nga Dogana.

Por, sipas prononcimeve në media, Doganat e Kosovës thonë se kontrollimi i naftës në import është sipas standardeve, por praktikat abuzive ndodhin brenda vendit, për kontrollin e të cilave është përgjegjëse MINT.

Edhe pse MINT ka deklaruar se “kontrollon naftën brenda tregut vendor përmes Inspektoratit të Tregut” ata po ashtu kanë pranuar se MINT duhet ende të punoj “për të ngritur kapacitetet e Inspektoratit.”

MINT gjithashtu ka injoruar pyetjet në lidhje me metodologjinë që është përdorur gjatë inspektimeve, dhe nëse gjatë këtij inspektimi MINT ka kapacitet të zbatoj teste në vend, dhe nëse po, si e realizon ato teste me mostra të naftës.

Lajmi i mirë është se numri i testimeve është rritur në 2021 sipas MINT, nga 270 testime sa janë realizuar në vitin 2020, në 353 testime të realizuara deri tani gjatë vitit 2021. 

Mirëpo, problemi qëndron në atë se testime për rezultate krahasuese nuk ka, dhe një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe MINT.

Exit mobile version