Në përvjetorin e masakrës së Polacit dhe Qabiqit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar krimet e kryera nga forcat serbe në prillin e vitit 1999, duke theksuar se ato përfaqësojnë dhimbjen, por edhe të vërtetën historike të popullit shqiptar, raporton Gazeta Sinjali.
Osmani përkujtoi ofensivën vrastare të ushtruar ndaj civilëve shqiptarë në Polac dhe fshatrat përreth, ku brenda një jave u vranë 78 persona, përfshirë burra, gra e fëmijë.
“Brenda një jave, u vranë 78 civilë shqiptarë, burra, gra e fëmijë. Sot përulemi me nderim të thellë edhe para kujtimit të 8 dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ranë në altarin e lirisë”, tha Osmani.
“Më 7 prill të atij viti, makineria vrastare serbe sulmoi edhe Qabiqin, ku ekzekutoi 10 civilë, në një tjetër krim që dëshmon përmasat e terrorit që ushtrohej mbi popullsinë shqiptare në atë kohë”, tha tutje Presidentja.
Duke e cilësuar këtë përvjetor si moment reflektimi dhe përkushtimi, Osmani theksoi se: “Këto masakra nuk janë vetëm kujtime të dhimbshme, por pjesë e historisë sonë, e të vërtetës që nuk guxon të harrohet. Duke nderuar martirët dhe dëshmorët, ne kujtojmë sakrificën, mbrojmë të vërtetën dhe riafirmojmë përkushtimin tonë për drejtësi.”
“Qoftë i përhershëm kujtimi për të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës!”, përfundoi ajo.