Ish-lideri politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, ish-zëdhënësi i kësaj ushtrie, Jakup Krasniqi, ish-shefi i Shërbimit të Informativ në UÇK, Kadri Veseli dhe ish-themeluesi i UÇK-së, Rexhep Selimi, janë duke munguar në këtë përvjetor të daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Llaushë të Skenderajt
Sot bëhen 23 vite prej kur Mujë Krasniqi, Daut Haradinaj dhe Rexhep Selimi, më 28 nëntor të vitit 1997, në Llaushë të Skenderajt në varrimin e mësuesit Halit Geci kanë dalë për herë të parë para opinionit publik si pjesëtarë të UÇK-së.
E ky përvjetor themeluesit e kësaj ushtrie i ka gjetur prapa grilave në paraburgim në Hagë, teksa të njëjtit janë duke u akuzuar për krime lufte e për krime kundër njerëzimit.
Në aktakuzën e ngritur pretendohet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtar të tjerë të UÇK Kanë kryer krime të shumta ndaj kundërshtarëve, ndërsa UÇK-ja u cilësua si një “ndërmarrje e përbashkët kriminale që kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.
Përveç ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, Dhomat e Specializuara kanë konfirmuar aktakuzën edhe ndaj ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafës, teksa në dhomat e paraburgimit në HGgë janë duke qëndruar edhe krerët e OVL-UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Daljes së parë publike të UÇK-së i kanë parapri luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe policisë serbe, të drejtuara nga komandanti legjendar, Adem Jashari.
Më 25 nëntor 1997 forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të drejtuara nga komandanti legjendar, Adem Jashari, sulmuan forcat e policisë në Vojnik të Skenderajt, të cilat u tërhoqën, duke lënë të vrarë dhe të plagosur.
Të nesërmen me 26 nëntor, një ekspeditë ndëshkimore me 10 automobila e mjete të tjera të motorizuara u drejtuan për në ketë fshatë, ku UÇK-ja prapë i sulmoi dhe pas katër orë luftimesh të rrepta, forcat e policisë u tërhoqën duke lënë prapa të vrarë dhe të vdekur.
Në tërheqje e sipër, forcat serbe, të egërsuara nga goditjet që u kishte dhënë UÇK, filluan të qëllojnë pa mëshirë kundër kujtdo që shihnin dhe në fshatin Llaushë ata vranë mësuesin Halit Geci në derë të shkollës, i cili u varros me një ceremoni të madhe më 28 nëntor 1997.
Në këtë ceremoni varrimi, ku morën pjesë dhjetëra-mijëra qytetarë nga mbarë Kosova, u bë dalja e parë publike e UÇK-së.