Site icon PrishtinaPress

Përurohet rruga “Adem Demaçi” në Çair, pjesëmarrës edhe Kurti

Me ftesë të Kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu dhe Kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot po viziton këto dy komuna të Maqedonisë së Veriut

Vizitën ka nisur në Komunën e Çairit, me ç’rast kryeministri Kurti mori pjesë në ceremoninë e emërtimit të rrugës me emrin “Adem Demaçi”, veprimtari i cili para dy javësh kishte përvjetorin e 5-të të vdekjes.

Ceremonia e emërtimit të një rruge me emrin e Adem Demaçit në Komunën e Çairit për kryeministrin është e rëndësisë së veçantë, ndonëse në Kosovë ka disa rrugë që e mbajnë këtë emër. Ai e cilësoi këtë ngjarje si shenjim i një kohe me një emër: “kohës së shtypjes së shqiptarëve në ish-Jugosllavi e cila mes shqiptarëve e prodhoi një njeri simbol të lirisë: Bacin Adem Demaçi”.

Gjatë deklarimit të tij, kryeministri Kurti rikujtoi se si gazetari, shkrimtari, intelektuali dhe veprimtari, Adem Demaçi, veprat e të cilit i kushtuan plot 28 vite të kaluara nëpër burgje, frikësoi dy liderët diktatorë, Josip Broz – Tito i ish-Jugosllavisë dhe Nikita Krushqev i ish-Bashkimit Sovjetik, të cilët ishin kujdesur që para vizitës së tyre në Shkup, 60 vite më parë, ta burgosnin Adem Demaçin.

“Shtypësit dhe mohuesit e lirisë, nuk mund të parakalonin lirshëm në një vend ku liria kishte për sinonim edhe një emër të përveçëm njeriu, emrin e Adem Demaçit. 60 vite më pas, në Maqedoni ka ende rrugë dhe shkolla me emrin “Josip Broz – Tito”, andaj emërtimi i një rruge me emrin “Adem Demaçi” është edhe një akt këmbënguljeje në përpjekjen e pafundme të një populli për liri”, u shpreh ai.

 

Kësisoj, duke e emërtuar këtë rrugë në Çair me emrin “Adem Demaçi”, kryeministri tha se po shënjohet një triumf i lirisë në kuptimet e saj më të kulluara politike, historike dhe njerëzore.

Në këtë përurim ishin të pranishëm edhe mbesa e veprimtarit Adem Demaçit, Fitore Shahini, Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, Zëvendës-shefi i Misionit të Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Prindon Sadriu, deputetë e ish-deputet të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut e qytetarë shqiptarë të Çairit dhe të gjithë Shkupit.

Sipas agjendës, Kryeministri Kurti pritet të arrij në Komunën e Tetovës për të realizuar aktivitetet dhe takimet e parapara në kuadër të kësaj vizite e cila përfundon me manifestimin mirëseardhës në sheshin “Iliria” të Tetovës.

Exit mobile version