Sot është përuruar Impianti i Ujërave të Zeza në Gjakovë ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Albin Kurti.
Ai tha se Kosova është në rrugën e duhur për mbrojtjen e mjedisit dhe për avancimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore.
Impianti në Gjakovë është i treti në dy vjetët e fundit, teksa Kurti falënderoi Republikën Federale të Gjermanisë dhe Konfederatën Zvicerane, pasi që banka zhvillimore gjermane KfW ka kontribuuar me 6 milionë euro, qeveria zvicerane me 7.6 milionë euro, ndërsa komuna ka shtuar edhe 3.2 milionë euro.
“Me impiantet në Pejë, Gjakovë dhe Prizren, ne kemi arritur të trajtojmë rreth 11% të ujërave të ndotura në nivel vendi, nga 1% sa kishim në fillim të mandatit dhe Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për ta avancuar edhe më shumë këtë sektor”, ka thënë Kurti.
Ai ka njoftuar se tani do të ndërtohen edhe tri impiante të ujërave të ndotura në Mitrovicë, Gjilan dhe Ferizaj.