-2.9 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Buy now

spot_img

Perspektiva ekonomike po cenohet nga paqëndrueshmëria politike

Banka Botërore në raportin e saj të fundit për ekonominë në Ballkanin Perëndimor, ka vënë në pah se Kosova në vitin 2018, do të ketë rritje ekonomike prej 4.2 për qind, kurse ndërmjet viteve 2019-2020 rritja ekonomike parashihet të arrijë në 4.5 për qind.

Ndërkohë, rritja për rajonin e Ballkanit Perëndimor në vitin 2018 parashihet të jetë 3.5 për qind. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, IRJ e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia rriten me ritëm mes 2.5 dhe 4 për qind.

Raporti i rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor, rritjen ekonomike në Kosovë e konsideron të lartë, por të brishtë.

Sipas përfaqësuesve të Bankës Botërore, një nga problemet që ka cenuar perspektivën ekonomike është paqëndrueshmëria politike dhe rritjet e mëtejshme të benefiteve të pashënjestruara.

Marco Mantovanelli, menaxher i Bankës Botërore për Kosovën, në prezantimin e këtij raporti ka theksuar se rritja ekonomike në Kosovë po ruan një momentum pozitiv dhe politika fiskale mbetet në përputhje me rregullën fiskale.

Mantovanelli, duke i referuar këtij raporti, thekson se është thelbësore të përmirësohet alokimi i shpenzimeve për të investuar në kapitalin njerëzor dhe fizik, për një rritje më të shpejtë dhe të qëndrueshme.

“Kosova po tregon një absorbim më të mirë të investimeve të financuara nga institucionet financiare ndërkombëtare, si dhe performancë më të mirë të eksporteve, por perspektiva mund të cenohet nga paqëndrueshmëria politike, rritjet e mëtejshme të benefiteve të pashënjestruara dhe rënia globale e tregtisë dhe hyrjeve të kapitalit”, thotë ai.

Kjo rritje e prezantuar nga Banka Botërore për Kosovën, nga ekspertë të ekonomisë po konsiderohet e pamjaftueshme për t’i adresuar problemet që ka Kosova, siç është papunësia dhe varfëria.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë në Kosovë është 29.4 për qind.

Naim Gashi, ekspert i çështjeve ekonomike në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se rritja ekonomike e parashikuar për këtë vit është e pamjaftueshme dhe pa ndikim në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.

“Rritja ekonomike në Kosovë prej rreth 4 për qind, nuk është një rritje ekonomike e ulët, por është e pamjaftueshme për ekonominë e Kosovës, duke pasur parasysh se 30 mijë të rinj futen në tregun e punës çdo vit dhe me trendin aktual të rritjes ekonomike, ne nuk kemi mundësi të absorbojmë në tregun e punë gjithë këta punëkërkues në Kosovë”, vlerëson Gashi.

Ai shton se brishtësia që e përmend Banka Botërore në raportin e saj tregon se fondamentii rritjes ekonomike nuk duhet të fokusohet në investime publike, por në sektorin privat.

“Megjithatë, sektori privat ballafaqohet me vështirësi të mëdha edhe nga konkurrenca në treg, por edhe për shkak të rregullimit të tregut të brendshëm ku ende ekzistojnë disa monopole të favorizuara nga shteti që frenojnë zhvillimin e konkurrencës së drejtë dhe rritjen e të ardhurave për bizneset private”, thotë Gashi.

Linda Van Gelder, drejtoreshë Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor thekson se në mbarë rajonin po shihet rritje w mbështetur nga investimet dhe shpenzimet publike, e që, sipas saj, vendet që kanë treguar rritjen e investimeve të tyre private, kanë dëshmuar edhe një rritje më të shpejtë.

“Rritja e investimeve private dhe e eksporteve është mënyrë më e qëndrueshme e rritjes”, thotë ajo.

Ndryshe, raporti i Bankës Botërore bën thirrje edhe për integrim më të madh ekonomik për të nxitur një rritje më të lartë dhe të qëndrueshme dhe për të stimuluar krijimin e vendeve të punës.

Kërkohet rritje e integrimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke u fokusuar në tregti, investime, lëvizshmëri dhe integrim digjital, për të përshpejtuar rritjen, për t’i kapërcyer tregjet kombëtare të vogla dhe të fragmentuara dhe për të siguruar stabilitet afatgjatë ekonomik.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img