Sipas saj, procesi i fillimit të ndërtimit të qendrës për personat me doun sindromë, po shkon drejt finalizimit.
Aldi Hoxha e Linda Dibra janë të prekur me doun sindromë, por kjo, nuk është pengesë për ta që çdo ditë t’u shërbejnë kafe me dashuri atyre që frekuentojnë kafen “X21” në Prishtinë.
Një punë ndryshe nga këta dy, por me shumë përgjegjësi e dashuri, po e bënë edhe Eloida Alija, nga Fshati Balaj i Komunës së Ferizaj, e cila prej dy muajsh ka filluar të punojë nga dy orë në ditë si asistente stomatologu.
“Unë po punoj që dy muaj te doktori. Po kaloj shumë mirë dhe për këtë e falënderoj doktorin dhe familjen”, tha Eloida Alija.
I kënaqur me punëtoren më të re, shprehet stomatologu Burim Buzhala. Ai tregon për Radio Kosovën se çfarë punësh bënë Eloida në ordinancën e tij “Briliant Dent”.
“Pasi të ulet pacienti në karrigen stomatologjike, vjen Eloida, ia vendos përparësen pacientit. Pastaj, m’i sjellë instrumentet stomatologjike. Ela është shumë bashkëpunuese. Është shumë e dashur dhe e buzëqeshur sa që edhe pacientët ndihen shumë mirë”, tha ai
Indira Alija, nëna e 18 vjeçares, që filloi punën më 1 shkurt, përderisa thotë se personat me doun sindromë, nuk janë në pozitë të mirë, tregon për Radio Kosovën se si shkoi dita e parë e punës së Eloids.
“Kur hyri Eloida në ordinancë, u befasua shumë. Mami ma bënte çfarë po ndodh?! Unë edhe nuk ia prisha surprizën doktorit. Ai erdhi me kontratë pune edhe ia dhuroi teshat e punës Elës dhe i tha: Ti, prej sot do të punosh si asistentja ime! Ela atë ditë ka ditur ta shprehë atë ndjenjë. Tamam kështu me lot gëzimi. Edhe ia filloi punës. Po e ndjenë vetën aq mirë që po ia del dhe po punon diçka”. tha Alija.
Iliriana Geci, nga Shoqatën “Down Sindrom Kosova”, thotë se 21 marsi të prekurit nga kjo sindromë dhe familjarët e tyre po i gjen me probleme të theksuara. Ajo shton se, procesi i fillimit të ndërtimit të qendrës për personat me doun sindromë, po shkon drejt finalizimit.
Procesi i ndërtimit të qendrës është zgjatur ndoshta pak më shumë se që ka qenë e paraparë, mirëpo, për fat të mirë këtij procesi i është afruar fundi, meqenëse edhe komuna ka ndarë parcelën dhe ka filluar edhe punë për planin e brendshëm të këtij projekti.
21 Marsi si Ditë Ndërkombëtare e Personave me Sindromën Down, është caktuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, më 19 dhjetor 2011.