Site icon PrishtinaPress

Personat me nevoja të veçanta pa shërbime shëndetësore

Shërbimet shëndetësore në Kosovë për personat me nevoja të veçanta vazhdojnë të jenë të mangëta.

Në Kosovë nuk ka statistika të sakta, por sipas informatave që posedojnë organizatat që merren me të drejtat e kësaj kategorie të shoqërisë, thuhet se janë rreth 150 mijë persona me nevoja të veçanta. Gjysma e tyre janë fëmijë.

Të gjithë ata kanë nevojë për trajtime të ndryshme, qoftë terapeutike apo me medikamente.

Udhëheqës të organizatave që merren me të drejtat e personave me nevoja të veçanta thonë se në mungesë të shërbimeve të domosdoshme, shumë nga këta persona kanë ndërruar jetë.

Faruk Kukaj, i cili nuk mund të lëvizë, duke folur për REL tha se njëra nga shërbimet bazë si ajo e njësisë spinale, që u duhet si trajtim këtyre personave, vazhdon të mungojë në vend.

“Nëse shkon në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për të kërkuar ndonjë shërbim adekuat, nuk ka për personat me aftësi të kufizuar, por të ofrohen shërbime si gjithë qytetarëve. Ne na duhen terapi fizike e përhershme. Mundesh me marrë kohë pas kohe, por jo gjithmonë”, thotë Kukaj.

“Për trajtime spinale nuk ka shërbim, ndonëse është shumë e nevojshme për ta mbajtur personin në jetë dhe në mungesë të saj, shumë persona kanë vdekur, pikërisht në mungesë trajtimi,” shtoi Kukaj.

Shërbimi spinal aplikohet te personat që kanë dëmtime të boshtit kurrizor dhe kanë pasoja të përjetshme. Ky shërbim, që ofrohet si lloj terapie fizike, është e domosdoshme për ata që rrinë gjatë gjithë kohës ulur në karrocë.

Në anën tjetër, Afrim Maliqi, i cili udhëheq organizatën ‘’Hendikos’’ tha se ndonëse janë bërë disa lëvizje pozitive në sektorin e shëndetësisë vitin e fundit, për personat me nevoja të veçanta nuk është shënuar ndonjë përmirësim.

“Së pari mungon rehabilitimi i personave me nevoja të veçanta. Gjithashtu mungon shërbimi spinal, e që është shumë i domosdoshëm. Në mungesë të këtyre shërbimeve kanë vdekur shumë njerëz. Shumë njerëz detyrohen të largohen nga Kosova pikërisht për këtë shërbim”, tha Maliqi.

Por në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se me hapjen e shërbimeve të reja shëndetësore në sektorin publik dhe fuqizimin e shërbimeve ekzistuese, janë krijuar, rrjedhimisht, mundësi që shërbime më cilësore shëndetësore të ofrohen edhe për personat me nevoja të veçanta.

Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në këtë ministri tha se ka ende punë për t’u bërë, për t’ua përmirësuar kushtet kësaj kategorie të shoqërisë, megjithatë ai shton se është punuar në këtë drejtim.

“Me legjislacionin në fuqi për sektorin e shëndetësisë, personat me aftësi të kufizuara janë të liruar nga bashkë pagesat për marrjen e çfarëdo shërbimi në institucionet shëndetësore publike, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka krijuar mundësi që për shërbimet shëndetësore që nuk mund të merren në institucionet publike shëndetësore, personat me aftësi të kufizuara të jenë prioritet në Programin e trajtimit jashtë institucioneve publike shëndetësore, duke ua mbuluar përmes Fondit të Sigurimeve të gjitha shpenzimet e trajtimit në sektorin privat apo jashtë vendit”, tha Hoti.

Në vitet e fundit, asnjë institucion shëndetësor nuk është pranuar pa ndërtimin e hyrjeve për personat me nevoja të veçanta ose ashensorët për ndërtesa të larta.

Exit mobile version