Site icon PrishtinaPress

Personat e verbër ballafaqohen me shumë sfida që kërkojnë angazhim institucional

Në javën ndërkombëtare të njeriut me shkop të bardhë “Braille është mundësi, jo imagjinatë” u tha se të verbrit e Kosovës vazhdojnë të përballen me probleme të vjetra, për çka përfaqësues të institucioneve por edhe Shoqata e të verbërve po kërkojnë angazhim të përgjithshëm institucional.

Mungesa e zbatimit të Ligjit për të verbrit, mungesa në qasje, diskriminimi, janë disa nga sfidat e të verbërve në Kosovë e të cilat u theksuan sot në një konferencë për media të organizuar nga Shoqata e të verbërve të Kosovës dhe Zyra e Kryeministrit për nder të javës ndërkombëtare të njeriut me shkop të bardhë.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilia Rexhepi tha se kanë zhvilluar një plan veprimi përmes së cilit synojnë të zgjidhin problemet dhe pengesat e personave me nevoja të veçanta.

Ajo theksoi se mbesin të përkushtuar për të bërë maksimumin për një shoqëri të barabartë ligjërisht.

“Gjithçka që ju shqetëson në lidhje me punësimin rreth transportit, në lidhje me procesin e arsimit ne do të përballemi me këto problem dhe ne do të përpiqemi të punojmë së bashku që t’i zgjidhim gradualisht këto sfida[…]Si kryetare i Këshillit Kombëtar për Personat me aftësi të kufizuara do të jap maksimumin tim për ta bërë shoqërinë tonë të barabartë ligjërisht, do të jap maksimumin tim për të luftuar për të drejtat tuaja duke pasur parasysh se askush nuk ka të drejtë të prishë një jetë, pavarësisht se nga çfarë kategorie e shoqërisë vjen, gjithherë më llogaritni mike. Vetëm me përpjekje të përbashkëta mund të zgjidhim disa probleme dhe sfida”, tha ajo.

Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë në Zyrën e Kryeministrit, Habit Hajredini, tha se ndonëse është rregulluar infrastruktura ligjore, të verbrit ende ballafaqohen me sfida të ndryshme.

“Personat e verbër ballafaqohen me sfida të shumta si në aspektin e edukimit, punësimit, shëndetësisë, qasjes, diskriminimit në përgjithësi… Po i përmendi disa sfida që gërshetohen sektorët tonë institucionalë dhe që kërkon angazhim të përgjithshëm institucional për të marrë veprime konkrete, sidomos ajo që ka të bëjë me mungesën e ofrimit të shërbimeve specifike, mungesa e sintezës vokale në gjuhën shqipe, mungesa e pajisjeve tifo-didaktike[…]Mungesa e asistentëve në shkolla të rëndomta si dhe ajo që ka të bëjë me çështjen e rehabilitimit”, tha ai.

Edhe kryetari i Shoqatës të Verbërve të Kosovës, Daut Tishuki, tha se ende përballen me probleme të vjetra, teksa foli edhe për rëndësinë e javës së të verbërve.

Tishuki tha po ashtu se është mirë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) u ka bërë të mundur që të votojnë edhe personave të verbër, teksa kritika pati për Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, dhe për Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për të cilat tha se nuk ka siguruar pajisjet e nevojshme për ta.

Ai tha se i mbetet shoqatës dhe institucioneve të vendit që të angazhohen për ratifikimin e Konventës e OKB-së për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.

“Sfida kemi shumë e të arritura pak. Edhe ky vit, të verbrit e Kosovës i ka gjetur, edhe pse vit i pandemisë, me probleme të vjetra, me mungesë qasje, me mungesë të zbatimit të Ligjit për persona të verbër, por edhe me mungesë të ligjeve tjera që e rregullojnë punësimin, p.sh. Ligji për riaftësim të personave me aftësi të kufizuara dhe shumë sfida tjera. Megjithëse gjatë këtij viti, kemi edhe rezultate, vërehet një përparim i vogël i cili në të ardhmen shpresojmë që do të rritet… Besoj që gjatë vitit 2022, nëse Konventa arrin të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, atëherë do të jem shumë i kënaqur, por kjo mbetet për tu parë. Na mbetet neve që me ndihmën e institucioneve të angazhohemi për një hap të tillë”, u shpreh ai.

Shënimi i javës ndërkombëtare të njeriut me shkop të bardhë vjen nga Rezoluta e Kongresit Amerikan në vitin 1964.

Kjo javë shënohet me qëllim që të verbrit të përmbledhin sfidat dhe arritjet gjatë vitit.

Exit mobile version