Site icon PrishtinaPress

Përse ua “nxij jetën” vajzave

Irena Beqiraj

Debati i fundit për ngacmimet seksuale më kujtoi një histori të vjetër.

Kur jepja mësim në një universitet në fund të semestrit bëhej vlerësimi i pedagogut.

Ndër gjithë komentet plot batutë e humor ca syresh edhe ironik të studeteve të mi… më bëri përshtypje një prej tyre që nga konteksti ishte i një vajze: “… profesoresha është shumë tolerante me çunat! Vajzave ua nxiu jetën!”.

Kishte të drejtë. Leksionin e fundit ju drejtova vajzave të kursit me këto fjalë:

Vajza të dashura, është e vërtetë, jam shumë kërkuese me ju.

Po a e dini çfarë u pret sa të dilni nga këto auditore?

Një realitet tejet maskilist edhe vanitoz.

Të bukura, të reja 70 për qind e juaja do të gjejnë një shef mashkull në zyrën e parë.

Mendimi i parë që disa syreve do t’u kalojë kokës si shigjetë është “çfarë fshihet poshtë fustanit” e vetëm me zotësi e besim tek vetja do të mund ta përqendroni mendimin e shefit tuaj tek ajo që ju dini.

Bota jashtë është vanitoze të dashurat e mia.

Në këtë vanitet mbytës çdo gjëje i vihet një çmim.

Edhe juve do përpiqem t’u vendosin një çmim, një rrogë më të mirë, karrierë më të shpejtë, do jeni gjithmonë në tundimin për të qenë ju ylli në ngjitje.

Por, është vetëm çmim, jo vlerë.

Duhet të jeni të përgatitura, inteligjente, të zonjat e vetes, të afta për t’i shpëtuar këtij rrethi vicioz.

Edhe e fundit, asgjë mos kërkoni dëshpërimisht në këtë jetë, përveç pavarësisë edhe integritetit.

E këto të dyja mund t’i keni, vetëm kur e keni kokën plot, edhe keni më shumë për të ofruar sesa bukurisë edhe trupit.

Prandaj, jam kërkuese me femrat e do vazhdoj të jem.

Exit mobile version