Site icon PrishtinaPress

Përplasjet me Rrahman Jasharajn në Komision, Gola i VV: Treguam një maturi të thekur

Deputeti i Vetëvendosjes, Ardian Gola, sot në foltoren e Kuvendit tregoi për ngjarjet e djeshme gjatë raportimit të kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në Komisionin e Arsimit, ku pati përplasje e diskutime me tone të larta. Ai tha se si mazhorancë kanë treguar maturi.

“Unë dje i kam pasë në Komision përfaqësuesit e Sindikatës së Arsimit dhe Këshillit Grevist dhe besoj se si mazhorancë kemi treguar një maturi të thekur të diskutimit të problemeve, pozicionimeve dhe argumenteve të tyre. T’ju them të drejtën, u binda që përmbushja dhe adresimi i kërkesave sindikale deri më sot nga Qeveria, sado që mund të reativizojmë nëse është e kënaqshme ose jo, në asnjë rrethanë nuk janë të atij niveli që arsyetojë vazhdimin e grevës në formën në të cilën është”.

Gola tha se presioni sindikal mund të vazhdojë, por jo me grevën e plotë si bllokadë absolute të mësimit.

“Nuk po flasim për ndërprerjen e presionit sindikal, por për pjesën e mbetur të kërkesave do të mund të vazhdohet përmes formave alternative të presionit sindikal dhe jo të vazhdohet me këtë bllokadë totale. Kjo s’ka më asnjë kuptim sepse është ndërprerje e plotë e funksioneve vitale të institucioneve arsimore”.

Gola tha se në këtë kontekst nuk mund ta gjejë dallimin mes grevës dhe shantazheve.

Ai tha se është tematizuar shumë çështja e gjuhës.

“Në fakt Rrahman Jashari na del të jetë vetëm një simptomë i një kulture të stërkequr të dialogut social që është trashëguar ndër vite. E vlerësoj plotësisht përpjekjen e tij përbrenda një metode që ai e ka trashëguar dhe është ushqyer se si është dialoguar me pushtetet e kaluara. Për këtë s’e fajësoj fare”.

Gola tha se e kanë mision për të ngritur vetëdijen dhe kulturën sindikale, por se ky mision ka çmime që, sipas tij, sot po paguhen.

“Ka ndodhë dhe vazhdon me qenë një përpjekje e pareshtur për të prodhuar një perceptim, kuptohet të deformuar, për mazhorancën si e majtë antisindikale. E vërteta është se ne nuk jemi antisindikatë, jemi që sindikatat të mos ndërtohen me logjikën farefisnore”./Prishtinapress/

Exit mobile version