Kryeparlamentari dhe njëherit shefi i PDK-së, Kadri Veseli është takuar me strukturat e partisë së tij dega në Drenas, me të cilët ka diskutuar rreth qeverisjes në këtë komunë.
Sipas burimeve brenda takimit, lideri i PDK-së, Veseli është shprehur i pakënaqur me punën e kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Por sipas këtyre burimeve, nuk ishte vetëm Veseli, ai që shprehu pakënaqësi ndaj Lladrovcit, një gjë të tillë, burime të njëjta thonë se e kanë bërë edhe anëtarët e Këshillit Drejtues të PDK-së.
“Kritika të shumta pati pothuajse nga të gjithë aktivistët dhe antarët e Këshillit Drejtues”, thonë këto burime.
Debati më i ashpër, sipas burimeve brenda këtij takimi kishte qenë ndërmjet Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Drenasit, Naim Bazaj dhe Lladrovcit, i cili këtij të fundit sipas këtyre burimeve i ka thënë se ka marrë postin e kryetarit për shkak të partisë, e jo pse ai ishte kandidat.
“Qytetarët në zgjedhejt e fundit e kanë votuar partinë e jo kandidatin”, citohet të këtë thënë Bazaj, nga këto burime.
Ndryshe, pakënaqësitë e Bazajt me drejtues të PDK-së në Drenas nuk janë të rralla, kundërshtime e gjuhë të ashpër ndaj tyre ka pasur edhe më herët.
Bazaj që para zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Drenas kishte dalë nga PDK-ja pasi partia nuk e kandidoi për kryetar duke dalë si kandidat i pavarur, ishte rikthyer në PDK, duke thënë se “nuk dëshiron që të përçahet partia e as njerëzit”.
Por pesë muaj pas, i ka rënë pishman, dhe ka dhënë dorëheqje nga PDK-ja./GazetaBlic/