Hykmete Bajrami, deputete e Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), ka thënë të mërkurën se pushteti është duke manipuluar me shifrat e punësimit.
Ish-ministrja e Financave i është përgjigjur deputetit të VV-së, Armend Mujës i cili ka thënë se shifra e papunësisë është 17.7 për qind, por Bajrami thotë se kjo shifër është me e lartë, 20.5 për qind – ndërsa për punësimin thotë se nuk është 6.9 për qind.
“Raporti Vjetor i Auditimit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, në faqe 78 thotë: 62,417 veta janë angazhuar nga KQZ në procesin e zgjedhjeve parlamentare të mbajtura me 14 shkurt 2021 dhe në zgjedhjet lokale të mbajtura në muajt tetor dhe nëntor 2021.Ndërsa shkalla e papunësisë sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës është 20.5%. Shih foton dhe linku i bashkangjitur këtu”, ka shkruar Bajrami në Facebook, teksa ka publikuar edhe të tabela.
Po ashtu Bajrami ka shtuar se Qeveria po manipulon në kohën kur i ka bllokuar pagat e punëtorëve të arsimit.
“Asnjë temë tjetër nuk është më e rëndësishme se sa pagesa e mësimdhënësve. Asnjë video propaganduese, asnjë manipulim me shifra nuk e mbulon temën e pagesës së mësimdhënësve”, ka deklaruar Bajrami.
Ndërkohë, të martën Banka Botërore përmes një raportu ka treguar se rritja e ekonomisë së Kosovës do të ngadalësohet./Prishtinapress/