Në Komisionin parlamentar për Shëndetësi pati diskutime mes pozitës dhe opozitës, ku kjo e fundit kritikoi qeverinë aktuale për rritjen e varfërisë në Kosovë.
Anëtari i komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu u shpreh i zhgënjyer pas publikimit të listës së çmimeve të barnave, ngase sipas tij vërehet shtrenjtimi i tyre.
Haxhiu potencoi se rritja të çmimit të barnave ndikon drejtpërdrejtë edhe në rritjen e varfërisë së qytetarëve.
Ndërkaq, lidhur me këtë është kundërpërgjigjur anëtari i këtij komisioni nga Lëvizja Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, për çka tha se qeveria aktuale në këto tri vite e gjysmë ka treguar se është shumë e interesuar për zvogëlimin e varfërisë.
“Rritjen e çmimeve e cila ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në rritjen e varfërisë. Sa e sa kohë që ne e monitorojmë këtu, ligjin për shërbime sociale…Për këtë na tregon shumë edhe ligji tjetër, të cilin ne e kemi votuar si Kuvend, ligji për rregullimin e çmimeve të produkteve medicinale me të cilin qëllimi dhe synimi i të gjithëve ka qenë që me këtë ligj të ulen çmimet e barnave dhe të ketë një unifikim të çmimit të barnave në nivelin e Republikës së Kosovës. Mirëpo, i zhgënjyer me atë që kam parë pas publikimit të listës së çmimeve të barnave, ku barnat të cilat sot janë në treg me pakicë, në listën e çmimeve dalin shumë më shtrenjtë sesa që janë në treg me pakicë…Rritja të çmimit të barnave ndikon drejtpërdrejtë edhe në rritjen e varfërisë së qytetarëve”, tha Haxhiu.
Avdyli potencoi se qeveria me vendime e përkrahje direkte ka ndikuar në eliminimin e formave të varfërisë.
“Kjo qeveri në këto tri vite e gjysmë ka treguar se është shumë e interesuar për zvogëlimin e varfërisë, me vendime direkte me përkrahjen direkte me materiale lehona, me përkrahjen direkte të fëmijëve, pastaj me Superpunën, me përkrahjen e të rinjve, me produkte të veçanta ka ndikuar drejtpërdrejtë në eliminimin e formave të varfërisë që është objektivi i parë…Meqenëse kolegu Bekim e dha një vështrim për këtë qeveri, jo për këtë raport, ne mund të themi që edhe përkrahja që është bërë përmes subvencioneve, granteve në bujqësi ka qenë si asnjëherë më parë”, tha Avdyli.
Në kuadër të Komisionit për Shëndetësi i cili u thirr për të vlerësuar përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm nga Ligjin për Shërbime Sociale dhe Familjare, diskutimi mes deputetëve pozitë dhe opozitë ka vazhduar.
Lidhur me atë se qeveria ka punuar në zvogëlimin e varfërisë, deputeti Haxhiu mohoi një gjë të tillë, për çka tha se politika e kësaj qeverie është që të varfërojnë qytetarët me shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe produkteve.
“Me ia shtrenjtua rrymën i nderuari Haxhi, qytetarëve mbi 100 për qind edhe me iu dhanë qytetarëve 1 herë nga 100 euro nuk është politikë për zhvillim të qëndrueshëm por është lëmoshë për qytetarët. Sepse, sipas asaj që po e shoh, politika e qeverisë është që të varfërojnë qytetarët me shtrenjtimin e energjisë dhe produkteve”, tha Avdyli.
Ndërkaq, para anëtarëve të këtij komisioni raportoi eksperti, Fitim Mulolli i cili potencoi se Ligji për Shërbime Sociale dhe Familjare zë vend të rëndësishëm për realizimin e objektivave sepse, derisa shton se raporti i vlerësimit i përmbush rreth 11 targete.
Ai tha se janë 169 targete për t’u përmbushur në të gjitha fushat, derisa shtoi se qëllimi është që gradualisht deri në vitin 2030 të përmbushen sa më shumë këto objektiva.
“Edhe Këshilli për zhvillim të qëndrueshëm si organ koordinues i këtyre objektivave, ka bërë mjaft aktivitete për të parë se ku po qëndron Kosova dhe për t’u munduar të rrisë vetëdijen e institucioneve së pari, rreth përmbushjes së këtyre objektivave. Në këtë drejtim ligji për shërbime sociale dhe familjare zë vend goxha të rëndësishëm për realizimin e këtyre objektivave sepse, siç e thotë raporti vlerësimi i përmbush rreth 11 targete. Pra, janë 169 targete për të gjitha fushat, e të gjitha fushat e të gjitha aspekteve që duhet të mbulohen institucionet e çdo shteti, në këtë rast edhe të Republikës së Kosovës. Ky ligj me mjaft sukses (përmbushi) rreth 11 prej tyre plus rreth 3 targete të fushës së arsimit, ndonëse nuk është fushë prioritare të mbulohet, prapë i prek ato. Qëllimi është gradualisht që deri në vitn 2030 të përmbushen sa më shumë këto objektiva”, tha Mulolli, shkruan Kosova Press.