I tensionuar ka qenë takimi i anëtarëve të subjektit politik Lista serbe që është mbajrur në Kuvendin e Kosovës.
Ishte Sllobodan Petroviq ai i cili ka sulmuar verbalisht zëvendëskryeministrin e Kosovës, Branimir Stojanoviq dhe kryetarin e Listës Serbe Sllavko Simiq.
Ky i fundit, nuk e kishte ftuar në takim Sllobodan Petroviqin.
“Kush je ti…, ti je turpi më i madh i popullit serb…”, ishin fjalët që Petroviq ia drejtoi Simiqit. Kurse Simiq dhe Stojanoviq i kërkuan Petroviqit që të lëshonte sallën dhe të dalë jashtë.
Takimi udhëhiqej nga Sllavko Simiq. Ndërkaq debatet dhe polemikat vazhduan ndërmjet Simiqit dhe Stojanoviqit në njërën anë dhe Petroviqit në anën tjetër.
“Ti dhe Jabllanoviq po bëni cirk, kështu që ulu ose dil jashtë”, iu drejtua Simiq, deputetit Petroviq. Ndërkohë, Petroviq thumboi sërish dy krerët e Listës Serbe, duke u thënë se ‘keni dalë nga zarfi dhe nuk i keni votat e popullit’. Lista Serbe është mbledhur në një takim urgjent për të shqyrtuar zhvillimet e brendshme në këtë subjekt politik. Të mërkurën është raportuar se ish ministri në Qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jablanoviq, është zgjedhur kryetari i Listës Serbe.