2.2 C
Pristina
Saturday, November 30, 2024

Buy now

spot_img

Përpjekje për t’a lënë në hije Urën e Saradranit, çfarë projekte po promovon tash Kurti?

Fillimin e punimeve në disa rrugë të vendit, kryeministri Albin Kurti e ka shfrytëzuar maksimalisht për të treguar se Qeveria po investon në infrastrukturë. Për secilin prej këtyre projekteve dhe rrjedhën e punimeve, është kujdesur që të njoftojë në rrjete sociale. Për të parë nëse kompanitë e kontraktuara po e përfillin kërkesën e tij për të punuar edhe gjatë natës, Kurti ka realizuar edhe vizita pas mesnatës, siç ishte ajo në rrugën Prishtinë-Podujevë.

Ura e Saradranit në Istog, është projekti infrastrukturor me të cilin është identifikuar Qeveria Kurti, deri tash. I shoqëruar edhe nga Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Kryetari i Istogut, Ilir Ferati, Kurti kishte bërë përurimin e kësaj ure në dhjetor të vitit të kaluar, ku e kishte cilësuar si “rast të rëndësishëm”.

Pjesëmarrja e Kryeministrit Albin Kurti në përurimin e kësaj ure, është shfrytëzuar shumëherë edhe nga opozita për ta sulmuar Kurtin, duke thënë se ky është investimi më i madh i kësaj qeverie, edhe pse ka hyrë në vitin e tretë të qeverisjes.

Por, me fillimin e disa projekteve infrastrukturore gjatë këtij muaji, duket se kjo urë tash do të përmendet më rrallë.

Kryeministri Kurti është kujdesur që të njoftojë për secilin prej këtyre projekteve në llogarinë e tij në Facebook, madje edhe për rrjedhën e punimeve që po bëhen.

Më 3 korrik, Kurti ka marrë pjesë në përurimin e nisjes së punimeve në rrugën Prishtinë-Podujevë.

Ky projekt ka kosto 15 milionë euro dhe sipas Kurtit do të përfundojë brenda një viti, ani pse Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu është shprehur skeptik për këtë.

“15 km është gjatësia e rrugës të cilën po e zgjerojmë. Vlera e projektit është 35 milionë euro. Për 365 ditë pune do të përmbyllet pritja shumëvjeçare”, shkroi Kurti.

Tri ditë më pas, Kurti ka njoftuar për shtrimin e disa rrugëve në Graçanicë.

“Është shtruar rruga “Bajrush Kelmendi”, “Hasan Prishtina” dhe “Jashar Krasniqi” në fshatin Shushicë të Graçanicës. Rruga “Bajrush Kelmendi” është e gjatë 1 km. Pas 50 viteve pa rrugë, familjet që jetojnë aty mund ta gëzojnë tash këtë nevojë bazike. Kurse rruga kryesore ‘’Hasan Prishtina’’ çon deri te Kisha Ortodokse.  Në Kishnicë e kemi riasfaltuar rrugën kryesore ‘’Ibrahim Rugova’’, ku kemi rregulluar edhe trotuarin si dhe kemi krijuar parkingje të reja.  Gjithashtu kemi bërë asfaltimin e rrugës kryesore edhe në Lagjen e Romëve”, shkroi Kurti në Facebook.

Paralajmëroi edhe investime shtesë në këtë komunë.

“Këtë vit Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës do të bëjë edhe investime shtesë në këtë Komunë”.

Një ditë më vonë, më 7 korrik, Kurti njoftoi edhe për fillimin e punimeve në dy rrugë kyçe në Shtime dhe Lipjan.

“Rehabilitimi i tërësishëm i rrugës Tranziti me vlerë 1.154 milionë euro, si dhe rehabilitimi i rrugës Shtime – Lipjan me vlerë 1.015 milionë euro që lidhë këto dy komuna mes vete dhe me Prishtinën.  Me këto projekte nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës do të lehtësohet lëvizja e qytetarëve dhe mallrave në këto zona”, shkroi Kurti.

Para një jave, Kurti i mbledhi pronarët e kompanive që merren me ndërtimin e rrugëve. Derisa u përmendi se ka rrugë të papërfunduara që nga viti 2014, Kurti u kërkoi që të ekzekutojnë punët edhe natën gjatë stinës së verës, derisa i paralajmëroi se mund t’i vizitojë.

Dy ditë më pas, Kurti shkoi pas mesnatës për t’i inspektuar punimet që po bëhen në rrugën Prishtinë-Podujevë.

“Po vazhdojnë punimet me intensitet të lartë në rrugën Prishtinë – Podujevë. Sonte jemi në terren, për të parë nga afër punën që po bëhet edhe në orët e vona të natës e pas mesnatës. I falënderoj punëtorët e inxhinieret që nuk po ndalen ditë e natë për ta përfunduar këtë rrugë në afat!”, njoftoi Kurti në Facebook.

Në një postim tjetër tha se janë bërë investime rekord në infrastrukturë në tremujorin e dytë.

“Pas mesnatës së mbrëmshme, shteti ishte i zgjuar – dhe në punë të vështirë. Ndërtimi ka vazhduar me shpejtësi në rrugën Prishtinë-Podujevë. Kosova është e freskët pas investimeve rekord në infrastrukturë në tremujorin e dytë. Megjithatë ka ende shumë më tepër që do të ndërtojmë së bashku”, shkroi Kurti në Tëitter.

Inspektime janë kryer edhe për punimet në rrugën Gjilan-Kllokot. Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar mbrëmë se Ministri Liburn Aliu dhe zëvendësministri Hysen Durmishi, kanë vizituar punimet.

Ai tha se po punohet edhe në mbrëmje, nga ora 20:00 deri në mëngjes, në orën 05:00, shkaku i temperaturave të larta gjatë ditës dhe që të mos e pengojnë qarkullimin në këtë aks rrugor që frekuentohet nga mërgimtarët.

“Në Rrugën Gjilan-Kllokot, kemi filluar të punojmë edhe në mbrëmje, nga ora 20:00 deri në mëngjes, në 05:00, për shkak të temperaturave të larta gjatë ditës e gjithashtu që të mos pengojmë qarkullimin e trafikut në këtë aks rrugor, të cilin kryesisht e frekuentojnë bashkatdhetarët nga mërgata. Ministri Liburn Aliu dhe zv.ministri Hysen Durmishi vizitojnë dhe falënderojnë punëtorët”, tha Kurti.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img