Kosova mori mesazhe të qarta dje se ku qëndron në raport me Bashkimin Europian dhe NATO-n. As njëra dhe as tjetra organizatë nuk janë të gatshme të bëjnë hapa në avancimin e pozitës së Kosovës po qe se nuk ka përparim në dialogun me Serbinë.
Mesazhi i parë dhe i qartë erdhi nga Bashkimi Europian dhe fondet që do t’i ndajë si pjesë e Planit të Rritjes.
Ndonëse u bë zhurmë e madhe nga pushteti se gjoja Kosova i ka siguruar mbi 800 milionë euro në fonde, BE-ja ishte më se e qartë se këto para Kosova i merr vetëm kur ka progres në dialog.
Dje në një konferencë për media, zëdhënësja e Komisionit Europian, Ana Pisonero, tha se do të bëhet një vlerësim i përmbushjes së parakushteve nga Kosova e Serbia në momentin që do të afrohen datat e realizimit të pagesave të para. Në këtë vlerësim ajo sqaroi se do të kërkohet edhe opinioni i Shërbimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), i cili ka nën ombrellën e vetë edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ajo që mund të them është që këto parakushte do të vlerësohen nga Komisioni përpara pagesave, dhe do të llogarisim rolin dhe kontributin e Shërbimit të Jashtëm të BE-së”, u shpreh Ana Pisonero në konferencë për media.
Në anën tjetër, ambasadorja amerikane në NATO, Julienne Smith, tha se Washingtoni e vlerëson interesimin e Kosovës që të anëtarësohet në Partneritetin për Paqe, por theksoi se për një gjë të tillë janë të nevojshme rezultatet në dialog.
“Miqtë tanë në Kosovë gjithashtu na kanë dëgjuar kur e kemi thënë qartë dhe me zë të lartë se ne duam që ata të vazhdojnë të investojnë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Kjo është diçka që si aleatët e NATO-s ashtu edhe vendet anëtare të BE-së e mbështesin fuqishëm. Ata e kanë përkushtimin tonë të plotë për të qëndruar të angazhuar në rajon dhe ne do të bëjmë çfarë mundemi për t’i ndihmuar atyre që të sjellin stabilitet më të madh në rajon”, tha ambasadorja amerikane në një konferencë me gazetarë.
“Dhe pak nga pak, ndërsa ne punojmë drejt qëllimeve të përshkruara në atë dialog, do të mund të marrim në konsiderim çështjen e Partneritetit për Paqe. Por për momentin, fokusi është që rajoni të ketë më shumë stabilitet dhe të shohim përparim në dialog të udhëhequr nga BE”, përfundoi Smith.