Po bëhen dy javë që Komuna e Prishtinës është pa kryesues të Kuvendit Komunal.
Emri i kryesuesit të ri ende nuk dihet.
Kjo për shkak që partia që e qeverisë këtë komunë, ende nuk e ka propozuar një emër të ri.
Këtë e konfirmoi për Front Online nënkryetari, Alban Zogaj.
“Jo, nuk kemi vendosur ende. Do të ju informojmë me kohë”, tha Zogaj.
Sveçla i VV-së në Prishtinë: Jemi shumicë, po diskutojmë që të propozojmë një kryesues.
Vetëvendosja në Prishtinë po e sheh të pamundur krijimin e një shumicë të re nga LDK-ja.
E në rast se partia në pushtet nuk arrin t’i krijojë numrat, VV-ja thotë se do të veprojnë.
Kështu u shpreh për Front Online shefi i këshilltarëve të VV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla.
“Unë besoj që LDK do të ftoj një seancë nëse ata nuk arrijnë të krijojnë numrat e nevojshëm. Dihet që minimumi i nevojshëm është 26 asamblist. Duke u bazuar në rrethanat politike që i kemi në kryeqytet ne e dimë që tani për tani LDK i ka tani për tani 15 këshilltar komunal dhe e shoh të pamundur krijimin e një shumice prej tyre, megjithatë ne ua kemi dhënë kohën e mjaftueshme, mirëpo e cila nuk është e pakufishme”, u shpreh ai.
E si pasojë e kësaj, Sveçla tha për Front Online se janë të detyruar që si shumicë të bëjnë kërkesë që të zgjedhin një kryesues të ri.
Ai tha se VV-ja po e diskuton, mirëpo ende nuk është vendosur.
“Mirëpo deri më tani informatat që i kemi nuk e kanë arritur këtë drejtim dhe si rrjedhojë do të jemi të detyruar që si Lëvizje Vetëvendosje të procedojmë me një kërkesë për zgjedhjen eventuale të ndonjë kryesuesi të ri, kjo çështje po diskutohet dhe po analizohet brenda kryesisë së VV-së, dhe grupit të asamblistëve dhe çka do që të jetë vendimi, opinioni duhet të jetë i informuar me kohë”, ka thënë.
Ai u pyet se cilin emër e kanë propozuar, por Sveçla tha se nuk beson se ky emër do të jetë nga Vetëvendosja.
“Nuk kemi diskutuar për emra të përveçëm, ne jemi të interesuar për lëvizjen e proceseve edhe pse jemi grupi më i madh i asamblistëve në Kuvendin Komunal nuk besoj që VV-ja do të propozojë asamblist të vetin për kryesues”, tha Sveçla.
E, Bahri Gashi nga AAK në Prishtinë ka thënë se nuk e kanë e as nuk iu është propozuar ndonjë emër për kryesues të ri.
Ai thotë se nuk ka asgjë zyrtare.
“Diskutime nuk ka për momentin, por po besoj që do të mbahet seanca që t’i shprehim të gjitha qëndrimet. Nuk e kam idenë se kur mbahet seanca, nuk e di, e cakton sekretaria. Nuk kemi emër e as një qëndrim për kryesuesin. Nuk ka asgjë zyrtare për emër”, u shpreh ai për Front Online.
Kuvendi Komunal i Prishtinës në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur ka shkarkuar kryesuesin e Kuvendit, Pëllumb Bajqinovci, i cili vjen nga subjekti politik Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Me 33 vota pro të asamblistëve të subjekteve politike nga PDK, AAK dhe AKR, është shkarkuar Bajqinovci nga detyra e kryesuesit.
Pëllumb Bajqinovci ishte zgjedhur kryesues i Kuvendit Komunal më 21 korrik.2023 pas shkarkimit të Fehmi Kupinës më 27.06.2023 pas propozimit të LDK-së. Ndërsa, votimi për shkarkimin e tij vjen pas prishjes së koalicionit ndërmjet LDK-së dhe PDK-së në kryeqytet.