Fitore Pacolli ka publikuar një fotografi nga takimi me Përparim Ramën. Aty deputetja e LVV-së duket teksa e shiqon si me irritim kryetarin e Prishtinës.
Në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, Pacolli bashkë me kolegun e saj, deputetin Salih Zyba e qortuan Ramën. Fotografitë nga takimi ngjajnë me ato të negociatave mes Ukrainës e Rusisë, të mbushura me urrejtje ndaj njëri-tjetrit në kërkim të një marrëveshjeje për armëpushim.
“Ne paraqitëm para Kryetarit shqetësimet që qytetarët e Komunës së Prishtinës kanë adresuar në Komision. Ne e njoftuam se Ndërmarrja Publike Prishtina Parking po shkel të drejtat e qytetarëve në baza ditore përmes veprimeve të jashtëligjshme. Veprimet e “Prishtina Parking” bien në kundërshtim me Ligjin për ndërtesat e banimit në bashkëpronësi”, shkroi Pacolli në Facebook.
Pacolli dhe Zyba kishin kërkesa urgjente për Ramën, ndër të cilat, “të ndërpritet shfrytëzimi i hapësirave rezidenciale për përfitim të shumëfisht”.
Pas një qortimi që duket të ketë zgjatur goxha, Pacolli dha një lajm të mirë në fund, si për të njoftuar se “armëpushimi” mund të arrihej.
“Kryetari pranoi kërkesat tona dhe na premtoi se shqetësimet e qytetarëve do të adresohen”, shkroi ajo.