Site icon PrishtinaPress

Përparim Rama e bën përgjegjëse MF-në: Prishtina ka caktuar përqindjen më të ulët të mundshme të tatimit në pronë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me ngritjen e tarifave të tatimit në pronë dhe ka mohuar se Komuna e Prishtinës ka caktuar tarifa të larta të tatimit.

Rama ka thënë se “kryeqyteti nuk ka pasur asnjë ndikim në rritjen e faturave të tatimit në pronë, por rritja ka ardhur si pasojë e ri-vlerësimit të pronave nga Ministria e Financave”.

“Që prej dje kam marrë shqetësime të arsyeshme nga ju në lidhje me ngritjen e çmimeve të tatimit në pronë”, ka shkruar Rama në Facebook, transmeton Telegrafi.

Më tej ai thotë se “për të evituar hutinë e shkaktuar nga deklaratat e nxjerra deri më tash, dëshiroj ta bëj më se të qartë për të gjithë qytetarët e kryeqytetit, të cilët janë ata që direkt preken nga ky proces.”

“Bazuar në dispozitat e Ligjit në fuqi për Tatimin në Pronën e Paluajtshme (neni 17 i Ligjit nr. 06/005 dhe UA MF-Nr. 08/2019) Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve është autoriteti kompetent për vlerësimin e pronave, ndërsa Kryeqyteti sipas të njëjtit Ligj, cakton përqindjen e tatimit në pronë në bazë të vlerësimit të Ministrisë”, ka shkruar Rama.

“Kryeqyteti e ka caktuar përqindjen më të ulët të mundshme të tatimit në pronë. Norma më e ulët e lejuar është 0.15% e shumës së përcaktuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve. Prandaj, ju siguroj se Kryeqyteti nuk ka pasur asnjë ndikim në rritjen e faturave të tatimit në pronë, por rritja ka ardhë si pasojë e ri-vlerësimit të pronave nga Ministria e Financave”, ka shkruar Rama.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), sot ka dalë me një sqarim publik lidhur me rritjen e çmimit të tatimit në pronë.

MF-ja ka sqaruar se ky tatim mblidhet nga komunat dhe përbën njërin nga burimet kryesore të të hyrave vetanake për to.

Siç bëhet e ditur, MFPT, bazuar në Ligjin për Tatim në Pronë, obligohet që në baza të rregullta të bëjë vlerësimin e pronave të paluajtshme, ndërsa thuhet se shkallën e tatimit e përcaktojnë vetë komunat.

Ndryshe, vendimi për ngritjen e çmimit të tatimit në pronë, ka sjell përplasje dhe paqartësi ndërmjet Ministrisë së Financave (MF), Asociacionit të Komunave të Kosovë (AKK) dhe opozitës.

Dhjetëra qytetarë nga gjithë vendi kanë reaguar, duke mos u pajtuar me këtë vendim.

Ministria e Financave me anë të një reagimi publik, është shprehur se shkallën e tatimit e përcaktojnë vetë komunat.

“Bazuar në Ligjin për Tatim në Pronë, obligohet që në baza të rregullta të bëjë vlerësimin e pronave të paluajtshme, ndërsa shkallën e tatimit e përcaktojnë vetë komunat”, thuhet në arsyetimin e MF-së.

Exit mobile version