Në Kosovë është duke u zhvilluar një debat për mënyrën se si duhet shkuar në zgjedhje në katër komunat veriore të vendit.
Qeveria po insiston që përmes peticionit të largohen kryetaret e katër komunave, në anën tjetër, njohës të çështjeve kushtetuese vlerësojnë se dorëheqja e kryetarëve shihet si rruga më e shpejtë për zgjedhje të reja në veri.
Mazllum Baraliu njohës i çështjeve kushtetuese thotë se mënyra më e mirë, më efikase dhe më e sigurt do të ishte të shkohej përmes dorëheqjeve të kryetarëve aktual.
Për këtë, ai kë të thënë se do të ishte mirë të merren vesh dy partitë (VV e PDK) që i kanë nga dy kryetar në këto katër komuna.
“Ky procesi tjetër jo vetëm që është i më ngadalshëm, por është edhe më i pasigurt për epilogun, sepse askush nuk garanton që një udhëzim administrativ që është në fakt diçka që është krejt formale dhe mbase edhe e panevojshme dhe e papraktikuar deri më tani, sepse dispozita 72 e Ligjit për Qeverisje Lokale nuk thotë peticion, as nuk kërkon kushte tjera, përvec atyre që parasheh ligji, pra neni përkatës 72 e ai e rregullon që duhet një kërkesë jo peticion e as referendum e 20% të trupës elektorale, e cila pastaj i dërgohet kryesuesit të asamblesë komunale dhe nga aty dërgohet në KQZ dhe KQZ-ja procedon. Pra, kjo koha prej një muaj për përpilimin dhe fuqizimin e udhëzimit administrativ e pastaj procedurat tjera rreth sigurimit të 20 % nuk është e sigurt. Nga ajo që shohim deri me tani asnjë prej faktorëve të involvuar në këtë çështje nga Bashkimi Evropian, Kosova e Serbia dhe BE nuk japin asnjë garancë që ky proces do të ketë një fund të sigurt, sepse sigurimi i 20 % nuk garanton as Vuçiqi as Serbia dhe as Lista Serbe se janë pjesë dërrmuese dhe do të duhej t’i siguronin ato 20% të trupës elektorale nënshkrime me nënshkrime për ta bërë kërkesën”, ka thënë Baraliu.
Duke komentuar hezitimin për të dhënë dorëheqje, Baraliu ka thënë se është e drejtë e tyre, sepse dorëheqja është akt moral.
Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për krijimin e kushteve për zhvillimin e zgjedhjeve të reja në, Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Në bazë të dinamikes së ngjarjeve të zhvilluara deri më tani zgjedhjet në këto komuna pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti.