Të paktën 10 vetë vdiqën në Francën jugperëndimore të hënën, kur u regjistruan përmbytjet më të mëdha të shekullit, me lumenjtë që dolën nga shtrati dhe vërshuan mbi shtëpi e makina.
Ndërsa numri i të vdekurve u rrit dhe shkalla e dëmeve u bë e qartë, Presidenti Emmanuel Macron vendosi të ndalë një riorganizim tashmë të vonuar të kabinetit të tij.
“Është si një zonë lufte. Fshati është pak a shumë i izoluar nga bota e jashtme”, tha Jean-Jacques Garros, një banor i Villegailhenc, një nga zonat më të goditura, transmeton Top Channel.
Macron tha në një konferencë të përbashkët për shtyp me kreun e Koresë së Jugut Moon Jae-in në Paris, se mendimet e kombit francez ishin me viktimat dhe familjet e tyre.
Kryeministri Edouard Philippe fluturoi në zonën e fatkeqësive për t’u takuar me personelin e shërbimit emergjent.
Rreth 350 zjarrfikës u përfshinë në operacionet e shpëtimit, një numër që do të dyfishohet pasi shumë prej tyre pritet të merren me pasojat.
Pamjet televizive treguan lumenjtë me baltë që kishin shkulur pemët, rrëzuar shtyllat e energjisë elektrike dhe gërryen rrugët në rajonin jugor të Audesë, pranë qytetit mesjetar të kodrës Carcassonne.
Nëntë helikopterë punuan për të shpëtuar njerëzit nga çatitë e shtëpive të tyre, por operacionet kanë qenë të komplikuara për shkak të ashpërsimit të motit, ndërsa raportohen mijëra njerëz të evakuuar nga zona.