Tash e sa javë i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Gabriel Escobar ka përmendur mundësinë për fillimin e një fushate globale për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Së fundmi një kërkesë për fillimin e kësaj fushate e kanë bërë edhe tre kongresmenë amerikanë, ndërkohë analistët thonë se për të ardhur deri te kjo, Kosova duhet të përmbush obligimet e saj ndërkombëtare.
Në mesin e sfidave me të cilat përballet Kosova në rrugën e integrimit euro-atlantik është edhe mungesa e njohjes së pavarësisë nga pesë vendet anëtare të BE-së. Por, telashe po shkakton edhe mungesa e njohjeve nga vende të tjera të botës.
Amerikanët kanë shfaqur vullnetin e tyre për ta ndihmuar Kosovën në zgjidhjen e këtij problemi, duke premtuar fillimin e një fushate globale për njohjen e pavarësisë.
Kongresmenët amerikanë: Ritchie Torres, Elissa Slotkin dhe Lisa McClain, i janë drejtuar Dhomës së Përfaqësuesve me një rezolutë dypikëshe, ku në pikën e dytë të saj, thuhet se “duhet të mbetet politikë e Shteteve të Bashkuara të promovojë njohjen e Republikës së Kosovës si shtet sovran, i pavarur, demokratik, mutlietnik brenda kufijve të saj të njohur”.
Analisti nga Shqipëria, Ben Andoni, thotë se nuk pret që kjo rezolutë të prodhoi ndonjë rezultat të madh.
“Rezoluta e fundit e tre kongrsmenëve amerikanë është një lajm i mirë, për sa i përket interesimit të Shteteve të Bashkuara për Kosovën … Por, personalisht unë nuk besoj që kjo rezolutë të ketë ndonjë fuqi të madhe apo të themi të angazhoi dhomën e përfaqësuesve, për të marrë vendime të tjera nga ato të cilat janë marrë deri me tani në lidhje me Kosovën”, u shpreh analisti nga Shqipëria, Ben Andoni.
Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Melazim Koci, e sheh si të mundshme fillimin e një fushate për njohjen e pavarësisë, por pasi Kosova t’i ketë përmbushur obligimet e saj.
“Ky është qëndrim i Shteteve të Bashkuara. Ata kërkojnë nga Kosova që ta përmbush pjesën e vetë të obligimeve nga marrëveshja franko-gjermane … dhe që pastaj Uashingtoni të angazhohet për afirmimin në përmasa ndërkombëtare për njohje të reja të Kosovës jo vetëm të 5-shes së Bashkimit Evropian dhe për përshpejtim të integrimit të Kosovës në strukturat euro-atlantike”, tha njohësi i çështjeve politike, Melazim Koci.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në raportimin e tij gjatë muajit korrik para Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, ka thënë se nëse Kosova themelon asociacionin, SHBA do të filloi jo vetëm një fushatë evropiane për njohjen e pavarësisë, por një fushatë globale./teve1