Site icon PrishtinaPress

Përmbajtje të paligjshme dhe keqinformim, Komisioni Evropian nis hetimet ndaj ‘X-it’

Komisioni Evropian ka hapur një çështje ligjore ndaj platformës së mediave sociale “X”. Krahu ekzekutiv i Bashkimit Europian bër të ditur të hënën se do të hetojë nëse “X” mund të ketë shkelur rregullat e BE-së në fusha të lidhura me menaxhimin e rrezikut, moderimin e përmbajtjes, modelet e errëta, transparencën e reklamave dhe aksesin në të dhëna për studiuesit.

Ky rast përbën procedimin e parë që është bërë ndonjëherë nën DSA, e cila u krijua për të krijuar një hapësirë ​​më të sigurt në internet dhe trazon më tej situatën në kompaninë që nuk po gjen qetësi që prej se u ble për 44 miliardë dollarë nga Elon Musk.

Lëvzja vjen pas një kërkese për informacion dërguar nga Komisioni te X në tetor pasi mori indikacione se platforma po përhapte përmbajtje dhe dezinformata të paligjshme, veçanërisht përmbajtje terroriste dhe të dhunshme në kontekstin e luftës Izrael-Hamas.

Që nga gushti 2023, “X” është një nga 17 platformat e përcaktuara sipas DSA si “platformë shumë e madhe në internet”,” gjë që e bën atë subjekt të normave të reja, të rrepta për shpërndarjen e përmbajtjeve të paligjshme, mbrojtjen e të drejtave themelore dhe sigurinë publike.

“Ne e marrim shumë seriozisht çdo shkelje të rregullave tona. Dhe provat që kemi aktualisht janë të mjaftueshme për të hapur zyrtarisht një procedim ndaj X,” tha Margrethe Vestager, nënkryetare ekzekutive e Komisionit Evropian.

KE do të vazhdojë të monitorojë pajtueshmërinë e platformës me të gjitha detyrimet e tjera sipas DSA dhe mund të ndërmarrë veprime të mëtejshme nëse zbulohet ndonjë shkelje.

Komisioni bëri po ashtu të ditur se i ka kërkuar kompanisë që të bashkëpunojë në hetim.

Exit mobile version