Rrahjet e përleshjet mes nxënësve në shkollat fillore e të mesme janë shumë të shpeshta.
Nxënësit shpesh detyrohen të kërkojnë ndihmën e Policisë për të intervenuar në incidente të tilla që ndodhin brenda hapësirave të shkollave.
Një përleshje fizikie ka ndodhur edhe dje pasdite në shkollën e mesme të lartë profesionale ‘Shtjefën Gjeçovi’ në Prishtinë, ku si pasojë një person ka mbetur i therur me thikë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë bërë me dije se 18-vjeçari është dërguar atje me plagë në këmbë, të cilat dyshohet t’i jenë shkaktuar nga goditjet me një mjet të mprehtë.
Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja shëndetësore e të riut është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë. I njëjti është hospitalizuar për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë dëshminë e viktimës.
Sipas tij, një grup i të rinjve që dyshohet të jenë nxënës të shkollës së njëjtë, i kanë sulmuar fizikisht atë dhe tre shokët e tij.
Menjëherë pas kryerjes së veprës, të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes dhe deri më tani nuk është arritur që ata të identifikohen.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Lëndim i rëndë trupor’, teksa po vazhdojnë hetimet për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve./PrishtinaPress/