Përleshjet në lokale të ndryshme në qytetet e Kosovës, të cilat veprojnë deri në orët e vona janë mjaft të shpeshta. Këto raste jo rrallëherë eskalojnë edhe në sulme brutale e në përdorim të mjeteve të forta, ku për pasojë nevojitet intervenimi i Policisë. Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë te lokali Fox, në Qendrën e Skijimit në Brezovicë.
Burimet nga Prokuroria për Sinjalin kanë bërë me dije se këtë herë disa të rinj kanë sulmuar fizikisht dy punëtorët e sigurimit në lokalin Fox, për motive akoma të panjohura. Rasti ka ndodhur pak para mesnatës, ndërsa është denoncuar në Polici në orët e mëngjesit.
Bazuar në dëshminë e viktimave të dhënë para hetuesve policorë, të dyshuarit, njëri prej të cilëve mbante edhe thikë kanë rrahur rojet posa kanë dalë jashtë. Për pasojë, këta të fundit kanë pësuar lëndime trupore, për çka kanë marrë trajtim mjekësor në spital.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, për t’i bërë ekzaminimet e nevojshme dhe më pas me urdhër të Prokurorit të Shtetit kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve.
Të njëjtat burime thonë se njëri nga të dyshuarit është person i njohur për viktimat, për shkak të një rasti të mëhershëm që kanë pasur.
Pas inicimit të rastit të fundit dhe mbledhjes së provave, pritet që të zbulohen se kush janë të dyshuarit, ndaj të cilëve do të ndërmerren veprimet e nevojshme posa të bien në prangat e Policisë.