Sot, mes dhembjeve që shkaktohen nga humbja e më të dashurve tanë gjatë luftës së fundit në Kosovë, dhe krenarisë për bijtë dhe bijat më të mirë të kësaj toke, që sakrifikuan jetën e tyre, për lirinë e popullit shqiptar, përkujtojmë në mënyrë të veçantë 94 banorët e Rezallës, dëshmorë e martirë, në 20 – vjetorin e njërës nga masakrat më të pamëshirshme.
Dhembja sa vjen e shtohet për familjarët e të zhdukurve, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë që nga ajo ngjarje makabre. Nuk do të jemi rehat derisa të dihet fati edhe i të zhdukurit të fundit.
Me gjithë këto halle që s’kanë fund, ngado që shkojmë, kudo që jemi, do të flasim për heronjtë dhe martirët e Kosovës, do t’ua rrëfejmë fëmijëve historinë më të re të popullit shqiptar të Kosovës, në mënyrë që brezat që do të vijnë ta dinë se nga kanë ardhur.
Ta kuptojnë dhe vlerësojnë gjithashtu mundin dhe sakrificën e trimave tanë, që nuk kursyen jetën e tyre, që ne sot të jetojmë të lirë e të pavarur.
Rezalla sot është krenare që i dha hakun luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Është krenare me dëshmorët dhe martirët. Ata na mundësuan lirinë, na mundësuan dhe pavarësinë e Kosovës.
Këta janë historia shqiptare, dhe këta janë krenaria jonë kombëtare!
Do të jemi përjetësisht mirënjohës ndaj dëshmorëve dhe martirëve të lirisë.
Lavdi të gjithë të rënëve të Kosovës!