Në prani të një numri të madh të pjesëmarrësve, ku ishin të pranishëm edhe kryetari i Komunës, Fadil Nura, nënkryetari Sami Lushtaku, familjarët, përfaqësues të Familjes Jashari, deputetë të Parlamentit të Kosovës, bashkëluftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familje të dëshmorëve, invalidë e veteranë të UÇK-së, mysafirë të ftuar dhe qytetarë të shumtë, sot është mbajtur tubim përkujtimor në Rezallë, në nderim të sakrificës së ish-eprorit të lartë të UÇK-së, Malush Ahmeti, në kujtim të të cilit është përuruar ri-projekti i bustit dhe bazamentit në formën e UÇK-së, në oborrin e shkollës, e cila gjithashtu ka shënuar ditën e vet të themelimit, që me krenari mban emrin e heroit Malush Ahmeti.
Në fjalimin e tij, kryetari i Komunës, Fadil Nura, duke folur për dëshmorin Malush Ahmeti, ka thënë se Malushi ishte një burrë të cilin shumë njerëz e njohin për trim që në vend të fjalës së thënë, kishte krismën e pushkës.
E njohin si guximtar dhe luftëtar të etur e të padurueshëm përballë egërsisë serbe në luftën tonë çlirimtare, ka vazhduar Nura.
“Malush Ahmeti ishte i vendosur dhe një luftëtar i kompletuar i lirisë.
Heroizmi i tij në shërbim të atdheut, është shembull kuptimplotë se si veprohet e luftohet për vendin.
Malushi ishte i dalluar tek pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rezallë dhe më gjerë.
Në fushëbetejat e periudhës së luftës ishte i pranishëm çdo herë, duke qëndruar me gjakftohtësi para vështirësive nga luftimet që zhvilloheshin këto anë”, ka thënë ndër tjera kreu i Komunës.
Për figurën e trimit, para të pranishmëve ka folur Milaim Ahmeti, nip i Malushit, për të cilin u lartësua angazhimi në luftën çlirimtare dhe sakrifica e tij në rënien për lirinë e Kosovës.
Edhe Xhavit Jashari, në emër të familjeve të dëshmorëve të Kosovës, foli për ish-eprorin e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ndërkaq drejtori i shkollës, Ismet Malaj, ka folur për historikun e institucioni shkollor.
Në kuadër të manifestimit, është realizuar edhe programi shkollor, ku nxënësit janë paraqitur me pika të ndryshme artistike, si këngë, valle e recitime.
Po sot, udhëheqësit e Komunës, të shoqëruar nga ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bashkëluftëtarë, kanë përkujtuar dëshmorët Faik Goxhuli e Muhamet Çitaku, në 23 vjetorin e rënies së tyre




