3 C
Pristina
Thursday, December 5, 2024

Buy now

spot_img

“Përktheu libër që frymëzoi ISIS-in”: Përfundon beteja në gjyq mes dy hoxhallarëve të Pejës

Një betejë në gjyq mes dy hoxhallarëve nga Peja, Enes Goga e Drilon Gashi, ka marrë epilog final të martën.

Gjykata Themelore në Pejë e ka konsideruar si të tërhequr padinë e ushtruar nga Goga ndaj Gashit për “shpifje”. Goga kërkonte 10 mijë euro dëmshpërblim nga Gashi në kontest civil.

Ish-kryeimami i Bashkësisë Islame në Pejë nuk ka marrë pjesë në seancën e 19 shtatorit, në të cilën pritej të zhvillohet shqyrtimi kryesor i lëndës. Goga, nuk e ka arsyetuar mosprezencën e tij në seancë, thuhet në aktvendimin e gjykatës të cilin e ka siguruar Paparaci.

Për shkak të mungesës së Gogës, gjykata ka konstatuar se janë plotësuar kushtet ligjore që padia ndaj Gashit të konsiderohej e tërhequr.

“Paditësi thirrjes së gjykatës nuk iu është përgjigjur dhe mos prezencën nuk e ka arsyetuar dhe gjykata konsideron se në kuptim të dispozitave ligjore nga neni 423.1 të LPK-së janë plotësuar kushtet ligjore që padia e paditësit të konsiderohet e tërhequr përveç nëse i padituri deklaron që të zhvillohet shqyrtimi kryesor pa prezencën e paditësit”, thuhet në arsyetimin e aktvendimit.

Imami Drilon Gashi ka propozuar para gjyqtares Ganimete Puka që padia të konsiderohet si e tërhequr, edhe pse ka theksuar se ka dëshiruar që të vërtetohej fakti se nuk ka shpifur ndaj Gogës.

“Kisha pasë dëshirë që të vërtetohet fakti se ku kam shpifur dhe këtë e kam përgatitur në formë të shkruar të cilën po e lexoj dhe po ia dorëzojë gjykatës, mirëpo pavarësisht kësaj atëherë propozoj që padia e paditësit të konsiderohet si e tërhequr dhe të mbyllet kjo seancë sot”, ka propozuar Gashi.

Kontesti civil mes dy imamëve ka nisur për shkak të një deklarate të imamit Gashi në prillin e vitit 2019.

Në emisionin Pressing të T7, Gashi kishte marrë me vete një libër të Muhammad Abd al-Wahabb, një kleriku fetar islam, të përkthyer dhe të botuar në gjuhën shqipe nga Enes Goga.

Sipas Gashit, libri i Wahabb-it i përkthyer në shqip nga Goga, është frymëzimi kryesor i lëvizjes ekstremiste fetare të ISIS-it.

“Librin që e kam në dorë, e kam marrë me një arsye. Është libër i Muhammad ibn Abd al-Wahhab. Goga nuk është distancuar prej këtij libri ende. Sipas statistikave të fondit në Arabinë Saudite, libri i Abdul Wahabit është frymëzimi kryesor i ISIS-it. Ky libër është botuar në vitin 2000”, deklaronte imami Gashi më 2019.

Ish-kryemami i Bashkësisë Islame në Pejë kishte paralajmëruar padi për shpifje ndaj imamit Gashi.

“Do të ngris padi për këto shpifje të mëdha që po i bën zotriu”, kishte thënë Goga në një lidhje direkte përmes telefonit me emisionin Pressing. “Sa i përket akuzave të tij, unë nesër do t’i drejtohem gjykatës”.

Goga e kishte akuzuar Gashin se “përmes interpretimeve të tij në rrjetet sociale” ai ka dal nga dryma e Kuranit.

“Është në disharmoni të plotë me shpjegimet e profetit”, kishte thënë Goga. /Paparaci.com

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img