Eurodeputetja Viola Von Cramon, ka reaguar lidhur me veprimet e Serbisë për ta përgjuar opozitën ruse në Beograd dhe dorëzimin e këtij materiali te autoritetet në Kremlin.
Von Cramon me anë të një shkrimi në Twitter, ka thënë se ndihet e shokuar për këtë veprim të Beogradit.
“Jam e shokuar me lajmin e përgjimit të liderëve të opozitës ruse në Beograd dhe dërgimin e këtij materiali te inteligjenca ruse. Serbia duhet të mbrojë të drejtat themelore dhe dinjitetin njerëzor të të gjithë njerëzve brenda territorit të saj”, ka shkruar Von Cramon.
I am shocked with the news of wiretapping #Russian ???????? #opposition leaders in #Belgrade and its delivering to Russia intelligence service.#Serbia ???????? must uphold fundamental rights and human dignity of all people on its territory!https://t.co/pmICCaMHkS
— Viola von Cramon (@ViolavonCramon) January 12, 2022
Sipas saj, është vetë Serbia që duhet të tranformohet për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian, apo të rreshtohet më tej me Moskën dhe Pekinin.
“Serbia duhet të zgjedhë nëse dëshiron të transformohet me të vërtetë dhe të bashkohet me BE-në, apo të rreshtohet më tej me autokratët nga Moska dhe Pekini. Politika e qëndrimit në dy karrige është e papranueshme”, ka përfunduar ajo.
Kujtojmë se ministri serb i Punëve të Brendshme, Aleksander Vulin gjatë një takimi me sekretarin rus të Sigurisë Kombëtare, Nikolai Patrushev i ka dorëzuar video të takimeve të liderëve të opozitës ruse në Beograd, pas të cilave është arrestuar opozitari dhe aktivisti rus Andrei Pivovarov.
Këto informacione janë siguruar nga Agjencia serbe e Informacionit të Sigurisë (BIA).
Serbia dhe Rusia në fshehtësi kanë formuar një grup të përbashkët pune për të luftuar kundër “revolucioneve me ngjyra”, detyra e të cilit është të shtyp demonstratat dhe organizimet masive të qytetarëve.
Përveç kësaj, një organ i përbashkët i autoriteteve serbe dhe ruse është caktuar që të mbikëqyrë liderët e opozitës, mediat e pavarura dhe organizatat e shoqërisë civile.
Për më tepër këto dy vende, janë duke u munduar aktivisht që protestat qytetare dhe kundërshtimin e ndryshëm opozitar dhe të opinionit publik në vendet e tyre, ta lidhin pa fakte me ndikimin e aktorëve të ndryshëm të huaj, me qëllim të njollosjes së aktiviteteve që kundërshtojnë qeveritë e tyre.