Site icon PrishtinaPress

Përfundon seanca ndaj Salih Mustafës, gjyqtarja flet për ‘klimën e frikësimit’ të dëshmitarëve që mbizotëron në Kosovë

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka përfunduar për sot dëgjimi i dëshmitarit të tetë në gjykimin ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa.

Me përjashtim të disa minutave, seanca ka vijuar e mbyllur për publikun derisa dëshmitari i mbrojtur i është përgjigjur pyetjeve të prokurorisë dhe të mbrojtëses së viktimave. Seanca do të vazhdojë nesër me pyetjet e avokatit mbrojtës të Mustafës.

Në fund të seancës trupi gjykues ka kërkuar nga palët që mos të përmendin emrat e dëshmitarëve apo që lidhen me informacione identifikuese.

Këtë udhëzim e ka bërë të ditur kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia.

Foglia: Trupi gjykues kujton ‘klimën e frikësimit’ të dëshmitarëve që mbizotëron në Kosovë

“Sa i takon kategorisë së dytë trupi gjykues kujton klimën e përgjithshme të frikësimit të dëshmitarëve që mbizotëron në Kosovë si dhe nevojën për të ruajtur integritetin e hetimeve të ZPS-së, rrjedhimisht palët dhe avokati i viktimave nuk duhet t’u referohen emrave të këtyre personave as informacioneve identifikuese, qoftë në seance private apo publike. Nëse palët apo avokati i viktimave dëshirojnë ta pyesin dëshmitarin për dëshmitë që burojnë nga persona të tjerë që mund të nxjerrin në pah identitetin duhet të tregojnë të vënë në dukje arsyen pse duan ta bëjnë dhe trupi gjykues vendos më pastaj”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues.

Ajo ka thënë se palët dhe trupi gjykues duhet t’i kushtojnë vëmendje të madhe mënyrës së formulimit të pyetjeve për dëshmitarët.

Foglia ka theksuar domosdoshmërinë për të mos bërë të ditur identitetin e dëshmitarëve të mbrojtur në gjykatë.

Në këtë seancë, mbrojtja e Salih Mustafës, avokati Julius Von Bone ka ngritur çështjen e pjesëmarrjes nga Kosova përmes video-lidhjes.

Von Bone: Të shikohet mundësia për pjesëmarrje në seancë nga Kosova përmes video-lidhjes

“Në fillim të këtij muaji patëm një dëshmitar, mbrojtësi, hetuesi dhe përkthyesi nuk kishin mundësi të merrnin pjesë, dhe me sa pa nuk ishte e mundur që të lidheshim me video dhe nuk e di nëse do të ketë ndonjë lloj formati që të jetë e mundur ta bëjmë këtë gjë, pra të ketë pjesëmarrje nëpërmjet video lidhjes nga Kosova, nuk e di konkretisht si mund të bëhet por nëse ka mundësi për ta bërë këtë në të ardhmen do të na ndihmonte shumë. Nëse është fjala për ndonjë masë mbrojtëse apo një çështje lidhur me një vend të përshtatshëm ku mund të rrinë, a do të ishte e mundur që të ishin në një vendndodhje në Kosovë që ta bënte të mundur lidhjen”, ka thënë Von Bone.

Ai ka pyetur nëse Prokuroria ka ndonjë zyrë në Kosovë që do të mund ta përdorte, apo të shfrytëzohej ndonjë gjykatë duke shtuar që kërkojnë të shqyrtohet një mundësi e tillë.

Para kësaj, është dëgjuar dëshmitari i tetë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) i cili në pjesën e seancës së hapur për publikun ka thënë se ka marrë pjesë në zhvarrimin e një trupi pranë së cilit sipas tij ndodhej edhe një tjetër person i pajetë.

Meqë seanca ka vijuar e mbyllur në pjesën më të madhe të kohës, nuk dihen detajet rreth pjesëmarrjes së dëshmitarit në ngjarjen të cilën e ka treguar para trupit gjykues.

Dëshmitari i mbrojtur i cili mban kodin W04391 nesër do të përgjigjet në pyetjet e avokatit mbrojtës të Salih Mustafës.

Në gjykimin ndaj Mustafës deri tani kanë përfunduar dëshminë e tyre shtatë dëshmitarë, të gjithë të mbrojtur, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.

Gjykimi ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020, ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.

Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues është deklaruar i pafajshëm.

Exit mobile version