0.7 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Përfundon seanca, dëshmitari i parë në rastin Gucati-Haradinajt do të dëgjohet më 18 tetor

Dëshmitari i parë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në rastin e ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së do të dëgjohet më 18 shtator.

Procesi i rregullt gjyqësor ka filluar sot me deklaratën hyrëse të ZPS-së, është lexuar aktakuza dhe është bërë deklarimi i të akuzuarve të cilët kanë thënë se janë të pafajshëm.

ZPS ka paraqitur pjesë nga video-konferencat e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, dhe pjesë të intervistave që kanë dhënë në emisione të ndryshme ku kanë kundërshtuar Gjykatën Speciale dhe kanë deklaruar që do të publikojnë çdo material që arrin në zyrat e tyre.

Sipas ZPS-së, deklarime të tilla dëshmojnë se të akuzuarit ishin të vetëdijshëm që po publikonin informacione konfidenciale.

Sipas prokurorisë, Gucati e Haradinaj kanë shpërndarë informacione konfidenciale të Task Forcës Hetimore Speciale për Kosovën dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar me qëllim që të pengojnë punën e gjykatës përmes frikësimit të dëshmitarëve dhe hakmarrjes ndaj tyre.

Sipas prokurores Valeria Bolici, provat do të tregojnë se të akuzuarit e dinin se çfarë po bënin dhe vepruan me dashje edhe pse e dinin se po shkelnin ligjin.

“Zoti Gucati dhe zoti Haradinaj gjetën me qindra faqe dokumente konfidenciale që u përkisnin hetimeve të TFHS, i shfletuan këto dokumente, bënë një vlerësim të hollësishëm të llojeve të informacioneve që përmbanin dokumentet, e kuptuan që këto dokumente ishin konfidenciale. Atëherë a e kontaktuan të akuzuarit ZPS-në për të kuptuar pse kishin ardhur dokumentet konfidenciale, jo, a iu drejtuan gjykatësve të kësaj gjykate ose Policisë së Kosovës, jo , a bënë ndonjë hap për të bërë raportim në ndonjë autoritet se u kishin ardhur dokumente konfidenciale, jo nuk bënë asnjë nga këto hapa. Por çfarë bënë ata? Menjëherë organizuan një konferencë për shtyp për t’i bërë dokumentet publike, për t’i shpërndarë sa më shpejt përpara se të mund t’i ndalonte kush”, tha Valeria Bolici.

Ajo ka thënë se “krimet janë kryer para kamerave” dhe ka vijuar të paraqes para trupit gjykues video të të akuzuarve që lidhen me dokumentet të cilat ishin dërguar një vit më parë në zyrat e OVL-UÇK-së nga një person i paidentifikuar.

Prokurorja ka prezantuar pamje të Nasim Haradinajt duke u lënë në dispozicion mediave që të fotografojnë dokumentet, të cilat kishin arritur në zyrat e tyre.

Bolici: Të akuzuarit e dinin se dokumentet ishin konfidenciale

Video

“Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati në krah u thanë mediave se këto dokumente ishin konfidenciale dhe top sekret, dhe sigurisht e dinin këtë, i kontrolluan dokumentet…Zoti Haradinaj u tha mediave aty se çfarë përmbanin dokumentet, po lexoj nga transkripti ‘këtu janë emrat e të gjithë dëshmitarëve që thonë se janë në mbrojtjen e tyre, të gjithë’. Dhe ai vijon të thotë ‘si mund të garantosh mbrojtjen e dëshmitarëve kur të gjithë mund t’i lexojnë këto sot’. Këto fjalë të zotit Haradinaj u drejtoheshin dëshmitarëve që i kishin dhënë informacion, prova, dëshmisë, ZPS-së, për t’i bërë të ndjehen të ekspozuar, rrezikuar e të pambrojtur”, ka thënë prokurorja.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit kanë nxitur të pranishmit në konferenca që t’i shihnin dokumentet dhe t’i merrnin me vete duke u thënë se ato përmbajnë të dhëna sekrete për dëshmitarë, përfshirë emrat dhe mbiemrat e tyre.

ZPS ka deklaruar se të akuzuarit kanë pranuar haptas në paraqitje publike dëshirën e tyre për dëmtim të procesit gjyqësor dhe pengim të punës së Gjykatës Speciale.

Gjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt i filluar sot, do të vazhdojë më 18 tetor me dëgjimin e dëshmitarit të parë të Zyrës ë Prokurorit të Specializuar.

Ish-krerët e OVL-UÇK-së akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ata janë arrestuar më 25 shtator 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img