1.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Buy now

spot_img

Përfundon seanca, avokati i Haradinajt kërkon që i mbrojturi i tij të shpallet i pafajshëm

Në fund të deklaratës së tij përmbyllëse, avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman i ka bërë thirrje trupit gjykues që t’i trajtojë të gjitha dëshmitë e prezantuara në proces gjyqësor dhe të arrijë në përfundim se i mbrojturi i tij është plotësisht i pafajshëm.

Avokati i ish-nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka thënë se në asnjë prej pikave të aktakuzës prokuroria nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për të vërtetuar elemente të veprës penale.

Me këtë, mbrojtja e Haradinajt e ka përfunduar paraqitjen e deklaratës përmbyllëse para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

“Në secilën prej pikave të aktakuzës nuk janë paraqitur prova të pamjaftueshme për të vërtetuar elementet e veprave penale. Dhe ne ju kërkojmë juve trupit gjykues të shikoni dëshmitë në tërësi dhe me kujdes dhe të arrini në përfundimin se ai është i pafajshëm për secilën prej pikave të aktakuzës. Haradinaj ka besim të madh në aftësinë tuaj për ta bërë një gjë të tillë dhe unë kam besim të madh që ju do t’i trajtoni të gjitha dëshmitë që janë paraqitur edhe nga prokuroria edhe nga mbrojtja në mënyrë të barabartë”, ka thënë Cadman.

Përveç avokatit të Haradinajt, deklaratën përmbyllëse e ka paraqitur edhe mbrojtja e Hysni Gucatit nga e cila gjithashtu janë kundërshtuar të gjitha pikat e aktakuzës.

Deklaratat përmbyllëse janë dëgjuar pasi kanë përfunduar paraqitjet e provave dhe dëshmitarëve nga të dy palët.

Në Hagë do të vazhdojë edhe nesër procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së ndërsa të premten ish-krerët e OVL-UÇK do të flasin para trupit gjykues.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 prej kur edhe po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Gucati e Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img