Është duke u shpërndarë turma që u mblodh në Mitrovicën e Veriut, për të mbajtur një protestë – e thirrur nga Lista Serbe – për shkak të vendimit të Prishtinës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në targat RKS, kësisoj protesta është drejt fundit.
Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Ajo ka njoftuar më herët se protesta po organizohet për të treguar “unitet dhe për t’i thënë Evropës, njëzëri, se Serbia është vendi i tyre”.
Fillimisht, punëtorët e arsimit, shëndetësisë dhe gjyqësorit të Kosovës, i janë drejtuar turmës me mesazhin se janë kundër “shkeljes së të drejtave elementare”, se nuk do të lejojnë “përzënien nga këto zona”.
Zyrtarë të institucioneve të drejtësisë kanë thënë se nuk do të punojnë më për institucionet e Kosovës.
Sipas tyre, protestat po mbahen për të parandaluar “autoritetet e Kosovës që t’i ndajnë nga Serbia”.
Një ditë më parë, më 5 nëntor, në komunat veriore, ftesat për protesta janë vendosur në hapësira të ndryshme publike.
Në këto ftesa, qytetarëve u është bërë thirrje që të vendosin flamurin e Serbisë në pronat e tyre private, pasi flamujt të tillë veçse janë vendosur në hapësira publike.
Policia e Kosovës ka thënë përmes një komunikate se është njoftuar për protestën e 6 nëntorit dhe se ka marrë masa për të siguruar mbarëvajtjen e protestës.
Megjithatë, ekipet e Radios Evropa e Lirë në terren nuk kanë parë zyrtarë policorë me uniforma të policisë.
Kjo protestë vjen një ditë pasi përfaqësuesit e serbëve nga veriu i Kosovës kanë vendosur të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës: Qeveria, Kuvendi, pushteti lokal, gjyqësori dhe policia.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se vendimi për largim nga institucionet e Kosovës do të jetë në fuqi derisa “Prishtina të fillojë të respektojë të drejtën publike ndërkombëtare dhe marrëveshjet e dakorduara në Bruksel”.
Lista Serbe, po ashtu, ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të tërheqë vendimin për riregjistrimin e makinave.
Besohet se në Kosovë janë rreth 10.000 makina me targa që lëshojnë autoritetet në Serbi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje serbëve që të mos braktisin institucionet e Kosovës dhe që të mos jenë pre “e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike”.
Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, në anën tjetër, e ka mbrojtur vendimin e serbëve në Kosovë për dorëheqje.