13.6 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Buy now

spot_img

Përfundon pa incidente protesta në Shtërpcë, lirohet rruga për qarkullimin e automjeteve

Ka përfunduar protesta në Shtërpcë e serbëve lokalë, e cila, siç thanë organizatorët, vjen pas “shtypjes së vazhdueshme të serbëve në Kosovë”.

Protesta në këtë komunë të banuar me shumicë serbe, u mbajt dy ditë pasi dy persona u plagosën në Shtërpcë.

Pas përfundimit të protestës janë deklaruar edhe Policia e Kosovës.

“Ferizaj, 08.01.2023/ Përfundon protesta në Shtërpcë, lirohet rruga për qarkullimin e automjeteve. Ju njoftojmë se në ora 12:30 ka përfunduar protesta që ishte paralajmëruar të mbahej në Shtërpcë. Protesta ka kaluar e qetë dhe nuk është raportuar për incidente. Tani, rruga rajonale Shtërpcë – Prevallë është e lirë për qarkullimin e automjeteve”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime si: “Shtërpca është zemra e Serbisë” dhe “Ne duam vetëm paqe”.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, u tha protestuesve se “terrori i regjimit diktatorial të [kryeministrit të Kosovës] Albin Kurtit vazhdon si në Shtërpce, ashtu edhe në veri”.

Ai tha se “kohët janë të vështira sepse në krye të institucioneve të Kosovës është një njeri i verbuar nga urrejtja me të cilin nuk mund të negociohet”.

“Qëllimi i tij është të krijojë kushte të tilla që serbët të largohen nga vatrat e tyre”, tha ai.

Rakiq tha se serbët nuk duhet të dorëzohen.

“Lufta jonë me mjete paqësore dhe demokratike dhe harmonia jonë, janë armët tona më të forta për t’i rezistuar regjimit diktatorial anti-serb të Albin Kurtit. Më besoni, nëse jemi të bashkuar, me siguri do të fitojmë”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Shtërpcës, që është edhe nënkryetar i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, tha se serbët as nuk do të frikësohen dhe as nuk do të dorëzohen, dhe se “serbët duan të mbesin ne vendet e tyre”.

Kryeministri Kurti kishte deklaruar disa herë që nuk është kundër qytetarëve serbë, por kundër “kriminelëve serbë” që thyejnë ligjin në Kosovë.

Policia e Kosovës njoftoi se mbylli për qarkullim rrugën rajonale Shtërpcë-Prevallë, nga fshati Drajkovc deri në Brezovicë, deri në përfundimin e protestës, që nisi të dielën në orën 12:00./REL

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img