Site icon PrishtinaPress

Përfundon intervistimi i Gazmend Muhaxherit në Polici, vazhdon udhëtimin për në Gjermani

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, mëngjesin e sotëm u përball me një sulm fizik që dyshohet se lidhet me motive për shkak të funksionit të tij. Dy personat që dyshohen për këtë incident përfunduan në prangat e Policisë, ndërkohë që tashmë ka nisur një hetim në koordinim me Prokurorin e Shtetit, raporton Gazeta Sinjali.

Dy të arrestuarit, Dukagjin Lulaj dhe Korab Lulaj – identitetin e të cilëve Sinjali e zbuloi ekskluzivisht, u prangosën dhe u dërguan në mbajtje.

Policia ndërmorri veprimet e nevojshme dhe intervistoi kryetarin në cilësinë e viktimës lidhur me këtë incident, me ç’rast dha dëshminë e tij para hetuesve policorë.

Sinjali mëson se pas përfundimit të intervistimit dhe procedurave të tjera në Polici, Muhaxheri është nisur për në Gjermani, udhëtim ky që e kishte të planifikuar në agjendën e tij.

Muhaxheri ishte bashkë me një person tjetër, në momentin që u sulmua dhe për pasojë të dy pësuan lëndime trupore – për çka morën trajtim mjekësor.

Siç raportoi Sinjali, sulmi dyshohet se lidhet me një pronë të palës së dyshuar, që pretendon se komuna nuk ka vepruar në favor të kërkesave të tyre për këtë çështje.

Me t’u përfunduar edhe intervistimi i tyre, dy anëtarët e familjes Lulaj janë dërguar në mbajtje dhe brenda afatit ligjor do të ndërmerren veprimet e tjera të nevojshme, raporton Sinjali.

Rasti është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Pejë.

Exit mobile version