Pas kumtimit të lajmit se nga një janari qytetarëve të Kosovës do t’iu mundësohet lëvizja e lirë në zonën shengen të BE-së, Qeveria hapi fushatën për informim e qytetarëve rreth lëvizjes pa viza.
Pas më shumë se një muaj në terren pikat statike dhe ato moblie në terren përmbyllën punën të premten.
Për disa qytetarë, kjo kampanjë informimi shërbeu dobishëm.
“Jemi informu. I kam lexu dhe kam dëgju lajmet. Gëzohemi, do të jemi më të lirë të shëtisim Evropën”, ka thënë Zylfi Arifi.
E megjithatë, pati edhe nga ata që nuk kanë dëgjuar fare për fushatën.
“Jo se di unë. Nuk kam parë diçka”, ka deklaruar Fehrije Zekaj.
“Nuk jam informu shumë. E di që vizat do bëhen në 2024 edhe e kam marrë vesh nga familja”.
Ndërsa, Qeveria thotë se gjatë kohës sa fushata qëndroi e hapur në terren ka pasur interesim të madh të qytetarëve për të marrë informacione.
“Nga data 5 tetor, deri më 17 nëntor, vizituam lokacione të ndryshme anembanë Kosovës, duke përfshirë dhe 4 komunat në veri. Informatat që kemi marrë nga terreni gjatë zhvillimit të fushatës kanë qenë pozitive. Ka patur interesim të lartë në pajisjen me informata gjatë fushatës në terren e do të vijojmë edhe në javët pasardhëse të fuqizojmë mesazhin e informatave të nevojshme për qytetarët, për shfrytëzimin pozitivisht të lëvizjes së lirë pa viza”, ka thënë Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.
Sipas zyrës së zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, fushata do të vazhdojë ende në forma të tjera, përmes mediave, rrjeteve sociale e shpërndarjes së informatave me video mesazhe e grafika informuese.
E, kosovarëve veçse kanë nisur t’u bëhen thirrje për vizitat jashtë vendit siç qe ajo Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë.