4.9 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Përfundon dëshminë eksperti mjeko-ligjor në gjykimin ndaj Pjetër Shalës

Në seancën e së hënës në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në gjykimin ndaj Pjetër Shalës, ka përfunduar dëshminë dëshmitari i nëntë me radhë, eksperti mjeko-ligjor Marek Gasior.

Dëshmitari, fillimisht i është përgjigjur kundra-pyetjeve të ekipit mbrojtës, rimarrjes në pyetje nga ana e Prokurorisë dhe pyetjeve të trupit gjykues, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke vazhduar të përgjigjet në pyetjet e avokatit mbrojtës, Mohamed Hedi Aouini, dëshmitari lidhur me “personin C” tha se informacioni i përfshirë në raport është informacion i marrë nga pacienti përpara se të bëhet këqyrja fizike.

Kur iu kërkua të konfirmonte që nuk kanë gjetur gjurmë thyerje të shputës së këmbës së djathtë, eksperti tha se “në fotografitë 21 dhe 22, është ky shënim se nuk ka dëshmi të lëndimeve të mëparshme në shputën e këmbës së djathtë, kjo domethënë se nuk janë të dukshme nga jashtë”.

Gasior tha tutje se pacienti është këshilluar për të bërë radiografi, por nuk ka informacion nëse i njëjti i ka kryer ato apo jo.

Ndërkaq, lidhur me shenjat e “personit C” për të cilat eksperti javën e kaluar kishte thënë se janë shkaktuar nga një send me temperaturë të lartë, i pyetur nëse këto shenja mund të jenë shkaktuar nga elektroshoku, eksperti mjeko-ligjor tha se “nuk ju përgjigjem dot, nuk jam në gjendje”.

Pas kësaj, prokurorja speciale Gaia Pergolo kërkoi nga eksperti konfirmim përmes një fotografie (jo për publikun) përputhshmërinë për lëndimin e “personit B”, të cilësuar lëndim që mbulonte indet e buta.

“Këto janë lëndimet për të cilat kam shkruar në raport”, konfirmoi ai.

Ndërkaq, kur prokurorja Pergolo pyeti se nëse këto shenja përputhen me një plagë plumbi, Gasior u përgjigj se “nuk mund të përjashtohet”.

Pas kësaj, avokati Aouini i lexoi disa pjesë nga raporti duke kërkuar konfirmimin e ekspertit kur ndër to përfshihej edhe ‘‘në bazë të shenjës së këmbës që është sipërfaqësore, është e pamundur të thuhet se është shkaktuar nga një plumb por nuk mund të përjashtohet mundësia…’’ si dhe ‘‘kur shenja lëviz mbi eshtër, kjo domethënë se është shenjë sipërfaqësore’’.

E që për këtë, Gasior ka thënë se “shenjat janë si pasojë e një lëndimi që po shërohet dhe është shumë e vështirë të thuash me saktësi mbështetur në një vrajë dhe të thuash se cili ka qenë sendi që është përdorur për të shkaktuar këto plagë, prandaj nuk mund të përjashtohet se plaga mund të jetë nga një goditje për të cilën kemi folur”.

Në vazhdim, dëshmitari është përgjigjur edhe pyetjeve të trupit gjykues, ku ka thënë se me kalimin e kohës plagët gjithmonë shërohen, andaj ndonjëherë në mjekësi shenjat apo vrajat që janë si pasojë e një lëndimi, kur këqyret pacienti menjëherë pasi ka ndodhur lëndimi, shenja shihet me ndryshime krahasuar me të njëjtën shenjë pas disa kohësh.

Po ashtu, eksperti mjeko-ligjor tha edhe njëherë që është shumë vështirë të përgjigjet në pyetjen se në çfarë pozicioni ka qenë “personi A” kur është qëlluar me armë zjarri.

Tutje, ai ka thënë se lëndimi që ka pasur “personi A” kanë qenë kërcenim për jetën për shkak të dëmtimit të arteries dhe shkaktimit të hemorragjisë.

Ai tha se ky pacient mund të ishte shpëtuar vetëm nëse do ishte trajtuar menjëherë dhe në mënyrën e duhur dhe se gipsi si i tillë, i cili ishte jashtë në sipërfaqe nuk mund ta ndalonte hemorragjinë që ishte rezultat i arteries së dëmtuar.

Me këto përgjigje, ky dëshmitar ka përfunduar dëshminë e tij dhe se nga ana e trupit gjykues objektet e përdorura nga eksperti gjatë dëshmisë së tij, si skeleti dhe kafka janë pranuar si prova materiale.

Gjykimi ndaj Pjetër Shalës pritet të vazhdojë nesër (e martë), me dëgjimin e një dëshmitari tjetër.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img