Kështu ka bërë të ditur Haki Hertica nga Njësia e Kërkim-Shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Kanë përfunduar kërkimet sonte. Nesër vazhdojmë prapë me kërkime diku rreth orës 9:00”, tha Hertica, raporton KALLXO.com.
Kjo ishte dita e dytë e kërkimit të trupave të dy pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët me veturën zyrtare mbrëmë ranë nga rruga magjistrale Kaçanik – Han i Elezit poshtë në rrjedhën e lumit Lepenc.
Aksidenti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 20:45 dhe ndonëse ishin zhvilluar kërkime gjatë natës së kaluar, ato kanë rezultuar vetëm me gjetjen e automjetit.
Kryeministri Ramush Haradinaj ishte para gjysmë ore në vendin e ngjarjes dhe nga aty tha se nëse do të jetë nevoja do të kërkojë leje nga homologu i tij maqedonas, Zoran Zaev, që kërkimet të vazhdojnë edhe në pjesën e Maqedonisë të lumit Lepenc.