Site icon PrishtinaPress

Përfundojnë bisedimet në Bruksel, takimi trilateral nuk ndodhi

Në Bruksel kanë përfunduar takimet në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.

Ende nuk ka prononcime për rezultatin e bisedimeve gjatë këtyre takimeve, përcjell klankosova.tv.

Siç shkruan rel, edhe pse burimet e Bashkimit Evropian kishin thënë se synim ishte që delegacionet e Kosovës dhe Serbisë të takohen edhe mes vete, një takim trilateral nuk ka ndodhur.

Takimet kanë nisur pas orës 9:30 të mëngjesit.

Fillimisht, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak, ka pasur takim me shefin e delegacionit të Serbisë, Petar Petkoviq, që ka zgjatur deri pas orës 12:00.

Pastaj ka nisur takimi me delegacionin e Kosovës. As nga delegacionet e Kosovës, e as nga BE-ja, nuk janë dhënë informacione rreth rrjedhës së takimeve.

Ndërkohë, në Bruksel po qëndron edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai, po ashtu, është paraljmëruar se do të zhvillojë takim me Lajçakun.

Sipas burimeve të BE-së, janë dy qëllime kryesore që Lajçaku do t’i ketë në bisedimet me shefat e dy delegacioneve.

I pari është fokusi në zbatimin e plotë të Marrëveshjes që shpie drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi – e arritur gojarisht në muajin shkurt në Bruksel – si dhe të aneksit për zbatim, i dakorduar në Ohër në muajin mars.

Qëllimi i dytë është të diskutohen hapat për uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Për këtë, Kosova dhe BE-ja janë dakorduar në një takim që Lajçak dhe Bislimi kanë zhvilluar javën e kaluar në Bratisllavë.

Prishtina zyrtare thotë se i ka ndërmarrë hapat për të cilat është rënë dakord, ndërsa Beogradi zyrtar nuk e ka thënë qartë nëse ky pajtim për shtensionim është i pranueshëm për të.

Exit mobile version