0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Buy now

spot_img

Përfundim i çuditshëm i kampionatit kosovar, rrjetet sociale “vlojnë” nga komentet

Ka përfunduar në mënyrë të çuditshme sezoni 2022/23 në Superligën e Kosovës në futboll.

Madje edhe futbolldashësit në Kosovë patën reagime të shumta në rrjetet sociale për mënyrën se si përfundoi sezoni.

Fokusi kryesor ishte në dy ndeshjet e mbijetesës. Ferizaj u përball me Dukagjinin, kurse Trepça’89 me Prishtinën.

Te këto dy ndeshje pati shtyrje të ndeshjes, ndërprerje të lojës, vonesa e shumë minuta lojë shtesë.

Ferizaj dhe Trepça’89 ishin në garë për mbijetesë, teksa në dy ndeshjet kishte episode të çuditshme.

Ferizaj arriti fitore në sekondat e fundit të ndeshjes 2:1 ndaj Dukagjinit, duke mbetur në pozitën e tetë që dërgon në barazh dhe duke i ikur rënies nga liga.

Ishte Bujar Shabani i cili kaloi vendasit në epërsi, para se Dukagjini të barazonte shifrat.

Krejt në fund të ndeshjes, Astrit Fazliu realizoi me kokë në minutën e 104-të, pas një reagimi shumë të dobët të portierit të Dukagjinit.

Në këtë takim u dhanë plot 17 minuta lojë shtesë.

E rënies nga elita e futbollit kosovar nuk mundi t’i ikte Trepça’89, përkundër që fitoi 2:1 ndaj Prishtinës.

Edhe këtu, mitrovicasit fituan në sekondat e fundit, por që nuk mjaftoi për ta evituar rënien nga liga.

Prishtina ishte duke avancuar, kurse Trepça’89 barazoi pak minuta pasi u barazua rezultati në ndeshjen mes Ferizajt dhe Dukagjinit.

Krejt në fund, Trepça’89 arriti të shënonte për të fituar ndeshjen.

Pas këtyre ndeshjeve, kanë shpërthyer kritikat në formë përqeshje në rrjetet sociale nga futbolldashësit kosovarë.

Përpos këtyre, në ndeshjen Ferizaj-Dukagjini gjyqtar kryesor ishte Mervan Bejtullahu, njëri prej gjyqtarëve më kontrovers, i cili brenda 24 orëve ndau drejtësinë në dy ndeshje me peshë të madhe.

Ndër tjera, ai është shpallur i padëshiruar nga tri klube të Superligës.

Në duelet tjera, Drita fitoi ndaj Drenicës me rezultat 3:1, kurse Malisheva mposhti Llapin 3:2.

Pa fitues dhe pa gola u mbyll dueli mes Gjilanit dhe Ballkanit. Suharekasit e festuan titullin e dytë radhazi të kampionit.

Ballkani e përfundon sezonin si kampion i Kosovës duke e mbrojtur titullin e kampionit dhe do të luajë në kualifikimet për Ligën e Kampionëve edicionin e ardhshëm.

Drita e Gjilani përfunduan në pozitat dy e tre dhe do të garojnë në kualifikimet e Ligës së Konferencës.

Drenica dhe Trepça’89 mbetën në pozitat e fundit dhe do të garojnë në Ligën e Parë edicionin e ardhshëm.

Ndërsa, Ferizaj do ta luajë ndeshjen e barazhit ndaj Lirisë, për vendin e fundit që siguron biletën për Superligë edicionin e ardhshëm.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img