Site icon PrishtinaPress

Përfaqësues të më shumë se 60 vendeve do të takohen në Londër

Zyrtarë nga më shumë se 60 vende dhe qindra krerë të kompanive të mëdha botërore, do të takohen në Londër javën e ardhshme për Konferencën e dytë Ndërkombëtare për Rindërtimin e Ukrainës, ka njoftuar qeveria britanike. “Rindërtimi i ekonomisë ukrainase është po aq i rëndësishëm sa strategjia ushtarake”, njoftoi Downing Street të shtunën. Konferenca do të mbahet të mërkurën dhe të enjten. Mësohet se në këtë konferencë do të marrë pjesë përmes video lidhjes presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Trimëria e Ukrainës në fushën e betejës duhet të shkojë paralelisht me vizionin e sektorit privat për të ndihmuar vendin të rindërtohet dhe rimëkëmbet”, tha qeveria britanike. Konferenca e Londrës për rindërtimin e Ukrainës, në të cilën do të marrin pjesë edhe organizata joqeveritare, është e dyta që nga fillimi i luftës, pas asaj të vitit të kaluar në Lugano të Zvicrës.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe ministrja e Jashtme franceze, Catherine Colonna pritet të jenë mes liderëve politikë. Më shumë se një vit që nga fillimi i luftës, Banka Botërore ka vlerësuar se Ukrainës aktualisht i duhen 14 miliardë dollarë për të riparuar dëmet materiale të shkaktuara nga lufta. Por rimëkëmbja e ekonomisë së vendit do të kushtojë 441 miliardë dollarë sipas një studimi të fundit nga Banka Botërore, OKB, Bashkimi Evropian dhe qeveria e Ukrainës. Kjo shumë pritet të rritet me zvarritjen e luftës.

Exit mobile version