Deputetja e Parlamentit të Kosovës që vjen nga radhët e listës Guxo, Doarsa Kica Xhelili, gjatë qëndrimit të saj në Uashington ka folur për raportimet se ka përçarje brenda koalcionit me Lëvizjen Vetëvendosje.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Kica Xhelili tha se nuk është e vërtet se ka përçarje mes koalicionit.
Sipas saj, këto raportime kanë filluar që nga momenti i themelimit të këtij mandate.
“Realisht për çarje flitet që nga themelimi i këtij mandati dhe këtij parlamenti që është mbi një vit, do të thotë që nga komplet fillimi i grupit tonë parlamentar që ishte në bashkëpunim, asokohe lista Vjosa, iniciativa e presidentes dhe lëvizjes Vetëvendosje. Ne gjithmonë kemi dëgjuar që kemi çarje dhe jemi munduar të identifikojmë atë çarje brenda nesh sepse askush nuk e dinte prej nga po vjen, kështu që deri më tani asgjë nuk ka konkrete”, tha Kica Xhelili.
Ndryshe, deputetja nga Lista Guxo shtoi se e deputetët brenda koalcionit e kanë lirinë e shprehjes së mendimit ndryshe.
“Ne megjithatë e kemi lirinë përbrenda grupit parlamentar ta themi mendimin tonë, nuk është se nuk ka ndodhur që deputetët nga radhët e listës Guxo, në fakt edhe nga lëvizja Vetëvendosje të shprehin mendime ndryshe ndaj shumicës parlamentare, kështu që nuk është e vërtetë që ka çarje”, tha tutje ajo.
Kujtojmë se në Shtetet e Bashkuara janë ftuar një sërë politikanësh nga vende të ndryshme të botës në kuadër të një programi disa javor për shkëmbim përvojash dhe praktikash për zhvillimin e demokracisë. Ku një nga pjesëmarrëset është edhe Doarsa Kica, deputete e parlamentit të Kosovës dhe kryetare e komisionit parlamentar për administratë pubike, pushtet lokal, media dhe zhvillim rajonal