Sot Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj deputetit të AAK-së, Pal Lekaj, lidhur me 53 milionët e dhëna për kompaninë Bechtel Enka, gjatë kohës sa ka qenë ministër i Infrastrukturës. Paratë shtesë ishin dhënë për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Han i Elezit, në emër të kamatë-vonesës.
Prokuroria e ngarkon Lekajn me akuzën lidhur me dyshimet për ’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Por çfarë thoshte Pal Lekaj për milionat e paguara?
Në një përballje televizive me Lutfi Zharkun, paraardhësin e tij në ministri, Pal Lekaj, në emisionin “Pressing” të T7 më 6 qershor 2018, kishte dhënë versionin e tij se pse Bechtel Enka kishte kërkuar një sasi të tillë parash nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe pse ishte pranaur të bëhej pagesa.
Sipas Lekaj, Qeveria e Kosovës përgjatë katër viteve nuk kishte paguar aq sa ishte e obliguar.
“Më lejoni ta shtjelloj, pagesat për vitin 2014, janë kanë në planifikim buxhetor 70 milionë, ju kanë paguar 55 milionë. Pagesat për vitin 2015, janë kanë 220 milionë planifikuar me buxhet dhe kontratë, dhe janë paguar 112 milionë. Pagesat për vitin 2016, janë kanë të planifikuara 205 milionë, janë paguar 155 milionë. Dhe pagesa për vitin 2017, janë kanë 104 milionë. Këto janë kanë ato që është dashtë t’i kryejnë obligimet”, kishte thënë Lekaj në Pressing.
Lekaj në këtë emision thoshte se nuk e kanë asnjë faj meqenëse të gjitha procedurat janë zhvilluar gjatë viteve, 2014,15, dhe 2016.
“Nuk është faj i imi, dikush s’ka qare pa e marr përgjegjësinë”, shprehej Lekaj në Pressing duke ia mveshur barrën ish-ministrit Lutfi Zharku.
Ndërkohë Lutfi Zharku jepte një version tjetër të ngjarjes. Zharku në Pressing atë kohë thoshte se kur është nënshkruar një marrëveshje e tillë, edhe Bechteli edhe Qeveria e Kosovës e kanë ditur që s’ka pasur para për realizimin e saj.
Ndërkohë thotë se më pas Bechtelit i janë paguar para për punët që i ka kryer dhe që s’ka kryer asnjë punë për të cilën s’është paguar.
“Kurrë nuk është folë që na po punojmë, e s’janë kry pagesat”,kishte thënë Zharku
Zharku në argumentimin e tij insistonte se kompania Bechtel s’e ka kryer asnjë punë për të cilën s’është paguar, duke i thënë Lekajt se këtë çështje e di shumë mirë dhe se të gjithë e dinë që është njeri i kësaj fushe.
Lekaj ndërkohë i kundërpërgjigjej se po të kishte njohuri për një gjë të tillë, s’do të vinte puna që të paguheshin 53 milionë euro shtesë.
“53 milionë euro duhet me i pagu qytetarët për dëmet që i keni shkaktua ju ekonomista”, i drejtohej Lekaj, Lutfi Zharkut.
Zharku gjatë gjithë emisionit insistonte se pagesat përgjatë viteve që i përmend Pal Lekaj janë bërë vetëm për punët e kryera dhe jo që janë planifikuar