Manastiri i Deçanit përmes një njoftimi ka bërë të ditur se për shkak të situatës aktuale të sigurisë, ceremonia tradicionale e “Vidovdanit” (Beteja e Kosovës) nuk do mbahet në lokacionin e zakonshëm – tek monumenti në Gazimestan, por në Manastirin e Graçanicës më 28 qershor.
Lidhur me këtë, një njoftim është lëshuar edhe nga Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit, ku përmendet situata e sigurisë si dhe arrestimet e serbëve.
“Duke marrë parasysh situatën jashtëzakonisht të vështirë në Kosovë, ku populli ynë aktualisht po jeton në një gjendje të pasigurisë dhe ndjen mungesë të të drejtave dhe lirive elementare, veçanërisht pas serisë së fundit të arrestimeve dhe keqpërdorimeve të serbëve të paraburgosur, si peshkop dioqezan, me përgjegjësi të plotë baritore, kam marrë vendimin e mëposhtëm: që ‘Vidovdani’ këtë vit të mbahet në Manastirin e Graçanicës”, thuhet në njoftim.
Sipas tyre, ky vendim u mor pasi nuk kanë besim që Policia do ofrojë kushtet e duhura të sigurisë.
Tutje, në njoftim theksohet se Dioqeza Rashkë-Prizren do të kërkojë mbrojtje shtesë nga KFOR-i gjatë festimeve të këtij viti.
Në njoftim potencohet se Peshkopi Teodosije u takua sot me komandantin e KFOR-it, gjeneral Ristuccia dhe shprehu shqetësimet e tij për përkeqësimin e fundit të situatës së sigurisë në Kosovë.
Ai e ka informuar gjeneralin Ristuccia për planet lidhur me kremtimin e “Vidovdanit”.