Qeveria e Ramush Haradinajt, që nga themelimi i saj është përballur me kritika të shumta sa i përket emërimit të shumtë të zëvendësministrave.
Mirëpo, përveç kësaj, qeveria “Haradinaj”, që nga themelimi i saj është përballur me dorëheqje të ministrave.
Në dhjetor të vitit 2017, Raush Haradinaj, së bashku me kabinetin e tij qeveritar kishte dhënë betimin para Kuvendit, shkruan lajmi.net.
Menjëherë pas katër muajve, saktësisht në muajin prill të këtij viti, kjo qeveri është përballur me dorëheqjen e parë të një ministri.
Ishte ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, nga radhët e AKR-së, i cili kishte dhënë dorëheqje të parevokueshme, pas depërtimit të shtetasve turq.
Pas dorëheqjes së Sefajt nga Ministria e Punëve të Brendshme, ekzekutivi i vendit u ballafaqua edhe me një dorëheqje tjetër.
Kësaj radhe për arsye personale në muajin gusht të këtij viti kishte dhënë dorëheqje ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj.
Dorëheqjen e saj e kishte pranuar kreu i ekzekutivit Ramush Haradinaj, madje ai pak ditë pas dorëheqjes së saj, e emëroi këshilltare politike.
Akoma pa u bërë një vit kur Qeveria “Haradinaj”, kishte dhënë betimin e saj në Kuvend, edhe një ministër tjetër është shkarkuar nga detyra e tij.
Bëhet fjalë për ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, i cili ishte shkarkuar nga ky post në shtator të këtij viti.
Edhe pse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga vet ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, gjatë ditës së sotme në media u raportua se ka ofruar dorëheqje te kryeministri Haradinaj dhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit.