-1 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Për nëntë vjet shtet, politika “ngufati” ekonominë

Për nëntë vjet rresht, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, agjenda politike e ka lënë pas atë ekonomike.

Përfaqësues institucionalë, të cilët merren me çështje ekonomike, kanë deklaruar për gazetën “Epoka e re”, se përgjatë këtyre nëntë vjetëve të shtetësisë, ekonomia e Kosovës ka pësuar regres pasi, sipas tyre, agjenda politike e ka lënë pas atë ekonomike. Pastaj shkalla e lartë e papunësisë, e varfërisë, e deficitit tregtar si dhe mosmbrojtja nga konkurrenca e jashtme, kanë bërë që Kosova të përballet me mungesë të zhvillimit ekonomik.

Ministri i Zhvillimit Ekomomik (MZHE), Blerand Stavileci, ka thënë për gazetën “Epoka e Re” se gjatë këtyre viteve ka pasur zhvillim ekonomik e këtë më së miri, sipas tij, mund ta konstatojnë qytetarët të cilët s’kanë qenë në Kosovë që nga viti 2008. “Sado që edhe ne mund t’i japim disa konstatime, mendoj se më së mirë do të gjykonin qytetarët që kanë qenë në Kosovë para vitit 2008 dhe që kanë ardhur pas disa vitesh. Ata mund t’i konstatojnë ndryshimet. Në përgjithësi konsideroj se ka pasur përparime të mëdha në disa fusha dhe mundësi ende të pashfrytëzuara mirë në disa te tjera”, ka thënë Stavileci.

Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Muhamet Mustafa, ka deklaruar se ka pasur progres ekonomik gjatë nëntë vjetëve të pavarësisë së Kosovës por, sipas tij, mbetet të bëhet ende më shumë. “Ka pasur një progres për zhvillimin e infrastrukturës dhe mundësimin e një sektori industrial. Ne kemi një model të zhvillimit ekonomik që bazohet në faktorë të jashtëm siç janë remitancat dhe në ndihmën e jashtme. Kemi pengesa që të kalojmë nga ky model i rritjes ekonomike, në modelin e rritjes ekonomike të kapaciteteve të brendshme dhe prodhimit vendës. Ky do të duhej të jetë prioriteti ynë. Madje, disa masa të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës në dy vjetët e fundit shkojnë në këtë drejtim, por ato duhet të fuqizohen dhe zhvillohen më tutje”, ka deklaruar Mustafa.

Ai ka hedhur dyshime edhe te shifrat e papunësisë pasi, sipas tij, nëse ka rënie të papunësisë, atëherë duhet shikuar nëse ka zhvillim ekonomik. “Ne kemi problem me statistikat e punësimit, pasi s’i kemi të sakta numrat e punësimit. Siç duket, po tregohet rënie e papunësisë, por duhet të shohim sa është rënia e papunësisë kundrejt rritjes ekonomike”, ka thënë ai.

Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave, njëherësh deputet i Lëvizjes Vetëvendosje!, Faton Topalli, ka thënë se nuk mund të flitet për progres ekonomik gjatë këtyre nëntë vjetëve të pavarësisë së Kosovës. “Sa i përket progresit ekonomik, duhet menduar gjatë për arsye se s’ka pasur progres ekonomik gjatë këtyre viteve. Procesi i privatizimit ka bërë që e tërë pasuria e Kosovës të koncentrohet te një numër i caktuar personash, të cilët janë bërë shumë të pasur, ndërsa shumica e popullsisë ka mbetur e varfër. Kemi papunësi jashtëzakonisht të madhe në Kosovë. E kemi këtu varfërinë më të lartë në Evropë dhe në rajon. Nëse ka pasur progres ekonomik gjatë këtyre viteve, atëherë do të duhej të ndihej te qytetarët, se a kanë borxhe më shumë apo më pak, a janë shërbimet më të mira apo më të këqija etj. Në këtë kuptim mendoj se nuk ka progres ekonomik për arsye se kemi probleme kryesore të cilët shfaqen edhe në agjendën për integrime, e cila u shqyrtua të mërkurën në Kuvend, e që pikat kryesore të saj janë: rishikimi dhe miratimi i legjislacionit, që e bëjnë kategorizimin ose pezullimin e zyrtarëve publikë të akuzuar apo dënuar për korrupsion. Pika e dytë në agjendë është konflikti i interesit”, ka thënë Topalli.

Kurse, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë për gazetën “Epoka e Re” se të priturat kanë qenë shumë më të mëdha sesa që është arritur. “Të arriturat duhet të ndahen nga dimensioni politik, ekonomik, social dhe integrues. Është shqetësues fakti se të gjithë këta sektorë e kanë një emërues të përbashkët, e që është sundimi i rendit dhe ligjit. Në qoftë se Kosova ka dështuar në fuqizimin e shtetformimit të saj, ka qenë dështim në aspektin e sundimit të rendit dhe ligjit. Nëse s’kemi sundim të rendit dhe ligjit, atëherë si do të ketë zhvillim ekonomik, si do të përshpejtohen proceset integruese dhe si do të arrihet stabiliteti social. Nëse kthehemi te një komponentë tjetër, prioritet ka qenë dashur të jetë agjenda ekonomike e që, për fat të keq, ka mbetur nën hijen e agjendës politike. Kam drojën se shumë më tepër kemi humbur kohë në kërkime të arsyes sesa dëshmimit. Vetë fakti se kemi një mungesë të përgjegjësisë, qoftë individuale apo institucionale, tregon më së miri për gjendjen se ku jemi”, ka deklaruar Gërxhaliu.

Sipas tij, shkalla e lartë e papunësisë, varfërisë dhe emigrimit janë shtyllat në të cilat Kosova ka dështuar. “Me këto dështime nuk i bëhet nder Kosovës, por dua të besoj se shumë probleme të natyrës ekonomike duhet të zgjidhen. Është koha kur duhet të jemi bashkërisht të orientuar për fuqizimin e agjentes ekonomike. E thashë këtë për faktin se Kosova ka nevojë për stabilitet politik, ekonomik, social, si dhe për përshpejtim të proceseve integruese por, para së gjithash, ka nevojë për përmirësimin e imazhit enorm të keq. Si mund të arrihen këto objektiva në qoftë se nuk ka zhvillim ekonomik të bazuar në sundim të rendit dhe ligjit dhe të bazuar në ekspertizë shkencore. Nuk mund të ketë zhvillim ekonomik në qoftë se edhe më tutje Kosova vazhdon me avazin e vjetër të eksportit të parasë së gatshme, sepse një shtet që importon kaq shumë nga kushdo qoftë dhe një shtet që s’e ka një qasje më proaktive karshi importit vendës, e shndërron shtetin dhe shoqërinë në ngufatje të perspektivës”, ka thënë Gërxhaliu.

Ka ardhur koha sipas tij, të përdoren kampanja vetëdijesuese për patriotizmin ekonomik. “S’duhet të përdoret termi bojkot dhe reciprocitet, por duhet të mbështetet sektori privat, prodhues dhe, krahas mbështetjes, duhet të punohet më tepër për vetëdijesimin e qytetarëve dhe të ketë kampanja mediale për ta zgjuar dozën e nacionalizmit ekonomik. Pra, është koha kur duhet të bëhet më tepër sesa të fitet. Që të bëhet më shumë ekzistojnë forma të ndryshme e një prej tyre është subvencionimi, i cili duhet mbështetur dhe mbrojtur”, theksoi kreu i OEK-ut. /Epoka e Re/PrishtinaPress.eu

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img