Site icon PrishtinaPress

Për krimet serbe në Kosovë, ASHAK nuk posedon as edhe një material arkivor

Për krimet e përmasave gjenocidale që shkaktoi Serbia gjatë luftës fundit në Kosovë, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës( ASHAK) nuk posedon asnjë materiale arkivor. Kështu kanë thënë nga ky institucion.

Ndërkohë, mos dokumentimi i krimeve të luftës është krim, vlerësojnë njohës të së drejtës penale dhe hulumtues. Ata thonë se është i nevojshëm digjitalizimi i dëshmive dhe krijimi i një muzeu të veçantë për shpalosjen e krimeve serbe në Kosovë.

Udhëheqësit aktual të Kosovës dhe pararendësit e tyre e kanë përmendur mjaft shpesh viteve të fundit, ngritjen e një padie për gjenocid ndaj Serbisë, për masakrat dhe vrasjet makabre që shkaktoi gjatë luftës.

Por, përkundër kësaj, për krimet e llahtarshme nuk ka asnjë dëshmi në Agjencinë Shtetërore të Arkivave, kanë bërë të ditur nga ky institucion.

“Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës nuk posedon materiale arkivore, të cilat dëshmojnë krimet e luftës të shkaktuara nga Serbia në Kosovë”, ka thënë Shpresa Mekaj, drejtoreshë e Departamentit për Politika Zhvillimore në ASHAK. Mungesën e materialeve Mekaj, e ndërlidh me rregullat ligjore.

“Sipas Ligjit për Arkiva, materiali arkivor dorëzohet në arkiv tridhjetë vite nga momenti i krijimit”, ka thënë tutje ajo, në një përgjigjeje me shkrim, e pyetur nga Radio Kosova nëse Arkivi i Kosovës, ka të publikuar në mënyrë digjitale materiale që dokumentojnë krimet e luftës të shkaktuara nga Serbia në Kosovë.

Afati 30 vjeçar specifikohet në nenin 13 të Ligjit për Arkivat Shtetërore.

Mos dokumentimi i krimeve të luftës është një krim i dyfishtë për viktimat, pohon profesori i së drejtës penale, Ismet Salihu. Ish-drejtuesi i Instituti për Krimet e Luftës, thotë se përveç rithemelimit të institutit që u mbyll në vitin 2018, Kosova duhet të digjitalizojë dëshmitë për krimet e luftës, e madje, të krijojë edhe një muze të veçantë për këtë.

“Krahas Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, duhet të themelohet edhe Muzeu për Krimet e Luftës, ku do të ekspozoheshin: faktet, provat dhe mjetet “koropra delikti”, të cilat dëshmojnë se si janë kryer këto krime ndaj popullatës së pafajshme shqiptare, e po ashtu edhe dëmet e tjera të shkaktuara”, tha ai.

Teksa kritikon institucionet për mos dokumentimin e krimeve të luftës, hulumtuesi Abit Hoxha, thotë se dëshmitë për krimet serbe duhet digjitalizuar, e bashkë me të edhe rrëfime të të mbijetuarve të luftës.

“Ne nuk po punojmë për digjitalizimin e fakteve që i kemi në dispozicion. Për shembull, disa prej dëshmitarëve të masakrës së Izbicës edhe asaj të Rrezallës kanë vdekur, dhe ne nuk i kemi intervistuar për një histori gojore, që tregon atë anën e përjetimeve të tyre, që nesër të kemi një muze virtual. Nuk kemi një bankë të të dhënave me dëshmitarë që u kanë shpëtuar masakrave të tilla. Nuk kemi asnjë dokumentim me fotografi. Faktikisht, kjo është për të të ardhur keq, pra, është tragjike”, tha Hoxha.

Radio Kosova ka pyetur Ministrinë e Kulturës, nëse planifikon të krijojë një arkiv digjital për dokumentimin e krimeve serbe në Kosovë? Por, përkundër insistimit disa ditor, një përgjigje nga kjo ministri ka munguar, deri në përgatitjen e këtij materiali./Prishtinapress/

Exit mobile version