Andrej Ivanji, redaktor i gazetës së përjavshme “Vreme”, ka thënë se për Kosovën është e nevojshme një konferencë ndërkombëtare, meqë sipas tij dialogu Kosovë-Serbi i lehtësuar nga BE ka vite që nuk ka dhënë asnjë rezultat.
Në një intervistë për agjencinë e lajemeve Fonet, Ivanji ka thënë se dialogu është thelbësor dhe ka potencuar se në Kosovë ekziston një konflikt ngrirë.
Bazuar në rrethanat aktuale, Ivanji ka thënë se gjërat do të mbesin kështu siç janë edhe gjatë kohë dhe sipas tij s’ka ndonjë rrezik për konflikt më të madh. Megjithatë thotë se tensionet lokale s’mund të përjashtohen, siç është parë së fundmi.
Ai tutje ka thënë se BE-ja është shansi i vetëm për Serbinë dhe ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në OKB është realitet real.
Ivanji ka thënë se beson që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të formohet, meqë Prishtina është zotuar për një gjë të tillë, dhe shton se Perëndimi duhet ta vendosë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, nën presion shumë të madh për ta zbatuar marrëveshjen për Asociacionin.
Idenë e konferencës ndërkombëtare e ka hedhur në publik edhe kryeministri Edi Rama. Charles Michel ka qenë i pari që e ka përkrahur hapur.