Site icon PrishtinaPress

Për katër muaj 91 mjekë ikën nga Kosova, Sejdiu: Numri do të rritet ndjeshëm pas liberalizimit

Numri i mjekëve të cilët po largohen nga Kosova po rritet. Vetëm gjatë katër muajve të këtij viti, 91 mjekë kanë kërkuar certifikatat profesionale, të cilat u duhen për lidhje të kontratave në vendet jashtë Kosovës.

Shifra këto të cilat i ka konfirmuar për “IndeksOnline”, kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës Pleurat Sejdiu.

“Gjatë këtyre katër muajve, janë 91 koleg mjekë,  të cilët kanë kërkuar certifikata etiko- profesionale, dokument ky i cili u duhet për lidhje të kontratave me institucione shëndetësore në Gjermani por dhe në të gjitha shtetet e BE-së. Nga ky numër prej 91 , disa vetëm  janë larguar, disa janë në fazën përfundimtare të vizave, disa në fazën e kontraktimit. Përgjithësi janë 91 mjek që i kanë plotësuar dokumentet për largim, apo janë larguar”, tha ai.

E liberalizimi i vizave për Kosovën, sipas tij do të ndikojë në rritjen e numrit të mjekëve, të cilët do ta lëshojnë Kosovën.

“Sa i përket liberalizimit të vizave, ne presim një rritje të ndjeshme të numrit të mjekëve, të cilët do të largohen nga Kosova. Gjithnjë flas për koleget e rinj, të cilët do ta kenë shumë me lehtë kontaktin me punëdhënësit dhe se kjo i përshpejton procedurat, njëkohësisht dhe lehtëson ato.  Nëse llogariten ky trend  në këtë fillim vit dhe atë të vitit të kaluar, presim që mbi 250 deri në 270 mjek të largohen gjatë këtij viti”, tha ai.

Sejdiu thotë se mjekët të cilët po largohen çdo ditë nga Kosova janë kryesisht specializant të ri, e të papunë. Por rreziku që dhe QKUK-ja të mbetet pa mjek, sipas tij do të vërehet brenda pesë viteve të ardhshme, atëherë kur mjekët që janë afër pensionimit, do të duhej të zëvendësoheshin.

“Këta mjek që po largohen janë specializantë të ri, e të papunë. Në QKUK nuk ndihet kjo mungesë, por ndihet në sektorin primar, nëpër komuna. Por njëkohësisht do të ndihet në QKUK pas nja pesë vjetëve, kur këta të rinj, do të duhet t’i zëvendësonin gjeneratat tona, të cilët jemi para pensionimit dhe atëherë do të filloi kriza”, tha ai.

Por jo vetëm specializantët e rinj po largohen. Sejdiu thotë se këtë vit për herë të parë nga Kosova janë larguar dhe 11 mjek nga sektori privat si dhe katër specialist nga spitalet rajonale.

“Çka është shumë interesante në këtë vit për herë të parë kemi 11 mjekë tonë te cilët janë të sektorit privat dhe janë larguar dhe ata, por dhe katër specialist të  cilët janë larguar, por jo nga QKUK-ja por nga spitalet rajonale”, tha ai.

 

Exit mobile version